Si ka mundësi që Vuçiçi të shqetësohet kaq shumë për Ali Ahmetin?!

Shkruan Arbër Zaimi

Pikërisht dje, kur ultranacionalistët serbë diskutonin në Telegram për atentat ndaj Kurtit në Shkup, presidenti i tyre Vuçiq doli publikisht e u ankua se Kurti po përpiqet të rrëzojë nga pushteti Ali Ahmetin.

Ky lloj diskutimi i meriton disa çaste për t’u menduar.

E para, si ka mundësi që Vuçiqi të shqetësohet për Ali Ahmetin, ish-komandantin e UÇK në Maqedoni? Mos vallë Vuçiqi ka përqafuar flamurin kuqezi dhe ne ende nuk e dimë? Jo, kjo do të ishte absurde, Vuçiqi ka qenë dhe mbetet vartës i Millosheviqit dhe armik i UÇK. Atëherë mbetet pyetja, pse?

Një përgjigjje e mundshme do të ishte: meqenëse bandat ultranacionaliste kriminale serbe po planifikonin sulm ndaj Kurtit, Vuçiqi doli publikisht për të treguar se shqiptarët problemet i kanë me njëri-tjetrin, dhe nëse ndodhte ndonjë gjë në Shkup, fajin e ka lufta mes shqiptarëve për pushtet por jo ultranacionalizmi ekspansionist serb. Kjo taktikë përshkruhet me shprehjen ende të papërkthyer nga Dua Lipa “hidh gurin e fshih dorën”.

Çështja është se, sipas portalit të pavarur profesional të Baton Haxhiut dhe sipas disave si ai, nuk pati kurrfarë kërcënimi për sulm dhe kurrfarë mundësie për atentat ndaj Kurtit në Shkup. Kjo e hedh poshtë përgjigjjen e mundshme që dhamë më sipër dhe e lë ende gjallë pyetjen, si ka mundësi që Vuçiqi shqetësohet për Ali Ahmetin?

Mos vallë do të ishte përgjigjje më e mirë tjetra: sunduesit e korruptuar në Ballkan gjithmonë e kanë përdorur ultranacionalizmin për të vënë popujt kundër njëri-tjetrit e për të siguruar palëkundshmëri të pushtetit vetjak, por kur në rajonin e tyre shfaqet një model i pakorruptuar si Kurti e Vetëvendosja, të korruptuarit i tejkalojnë përplasjet e vjetra ultranacionaliste dhe bëhen të gjithë bashkë kundër ndryshimit?