Një reagim i Bashkimit Evropian kundër aksioneve të ditëve të fundit të Qeverisë së Kosovës, me anë të të cilave janë mbyllur disa zyre që funksionojnë si institucione paralele e ilegale të Serbisë brenda territorit të Repubikës së Kosovës, ka zbuluar një të vërtetë të hidhur se çfarë lloji të Zajednicës/Asociacionit ka pranuar kryeministri Albin Kurti.
Bashkimi Evropian ka treguar se statusi i strukturave ilegale të Serbisë që funksionojnë në Kosovë “është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”.
Në fakt, ky qëndrim i Bashkimit Evropian zbulon të vërtetën e mbajtur fshehur për kaq kohë nga kryeministri Albin Kurti, i cili më 21 tetor 2023 pranoi draftstatutin për themelimin e Zajednicës, të cilin ia dorëzuan 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 shprehu gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë, shkruan Demokracia.com.