Mit, strateg, hero i kombit, shqiptari mC i famshëm në histori, është Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Më 17 janar u mbushen 555 vjet nga vdekja e tij. Për lexuesit, kemi zgjedhur thënie, vlerësime, përcaktime dhe përfundime që janë bërë për figurën e tij. Studiues, historianë, ushtarakë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët jetojnë ose jo, i kemi bërë bashkë në një formë të përmbledhur tashmë, se çfarë menduan dhe çfarë mendojnë për Skënderbeun.
Dy Papë, mbretëresha Elisabetë e Anglisë, Sulltan Mehmeti, shkrimtari francez, Volter, deri te Aleks Buda, Artan Fuga, Ismail Kadare, Marin Barleti, Gjergj Zheji dhe Faik Konica.
Një udhëtim, jo vetëm në histori, por edhe në mendimin shqiptar dhe botëror, për heroin tonë kombëtar. Sigurisht, mes tyre ka edhe kundërshti dhe debat.
Papa Kalikst i III
“Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Europën Kristjane!
Papa Piu I II
“Gjergj Kastrioti kaloi gati gjithë jetën e tij, duke luftuar për kauzën kristiane. Është zor me gjetë një prijës kryqëzate, që mund të krahasohet me të!”
Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth, në librin e lutjeve, botuar më 1559
“17 janar. Si sot, vdiq princi i mirë, Skënderbeu, mbreti i Epirit dhe shfarosësi i turqve”.
Sulltan Mehmeti II
“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë!”
Voltaire, (Volter) François-Marie Arouet, shkrimtar francez
“Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453”.
Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kebekut
“Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse!”
Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”
“Skënderbeu është një ndër shtatë mbretërit e pakurorëzuar të Europës …, bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë, të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishtërimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta, iu bënë ledh për aq shumë vite, gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë vetë, për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë më shumë si numër, mbi njëqind mijë!”
Thomas Townshend, sekretar i Britanisë për Luftën
“Njohuri të mëdha të artit ushtarak, mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe nga ajo e Karlit XII, mbretit të Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemias. Dhe do të ishte një punë e paçmueshme, po mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohërave të vjetra dhe të sotme, si udhëheqës i një ushtri të vogël mbrojtëse. Skënderbeun e kam gjetur në historinë e Turqisë, por askund gjetkë. ”
Milan Shuflaj, albanolog nga Kroacia
“Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”
Kostandin Jiriçek, historian dhe albanolog nga Çekia, në librin “Historia e Serbëve”
“Venedikasit shpallën si çmim, pagesë të përjetshme prej 100 dukatësh, për vrasjen e Skënderbeut.”