Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bilsimi, që kryeministri Albin Kurti ia ka besuar negociatat me Serbinë, në një intervistë për Radio Gorazhdevcin ka folur në detaje për atë se ku ka mbetur dialogu me Serbinë aktualisht dhe si do të procedohet me implementimin e marrëveshjeve.
Bislimi ka thënë se tashmë ka mbetur që palët të pajtohen për sekuencimin, dhe për këtë sekuencim duhet bazuar në dy parimet, që duhet bërë diçka për të marrë diçka në këmbim dhe se çdo gjë që ndodhet në dokumentin bazik duhet të reflektohet në implementimin e planit të sekuencimit.
Bislimi ka thënë se Miroslav Lajcak është duke zhvilluar disa propozime për këtë dhe se palët po negociojnë për ato propozime.
Duke folur për Asociacionin, Bislimi ka potencuar se ndodhet në Nenin 10, dhe në momentin që palët do të pajtohen për sekuencimin, atëherë lind përgjegjësia dhe obligimi për fillimin e implementimit.
Kryenegociatori Bislimi ka theksuar se implementimi do të bëhet në atë mënyrë që në secilën prej 4 fazave të themelimit të Asociacionit, Serbia duhet të kryejë obligimet e saj në drejtim të njohjes de-facto, raporton Express.
Zëvendëskryeministri ka thënë se në momentin që Kosova është gati për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe apo sido që do të quhet, Serbia duhet ta kompletojë njohjen de-facto.
Duke folur për hapat e parë, Bislimi ka thënë se Serbia duhet të njohë pasaportat e Kosovës dhe të gjithë dokumentet që lëshohen nga Republika e Kosovës. Një gjë e tillë duhet të ndodh në momentin që institucionet e Kosovës e miratojnë Draft-Statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Ajo çfarë ka mbetur është që ne të pajtohemi për sekuencimin. Për këtë sekuencimi janë 2 apo 3 parime udhëzuese. I pari, ju duhet të bëni diçka në mënyrë që të merrni diçka. I dyti është që çdo gjë që është në dokumentin bazik duhet të reflektohet në implementimin e sekuencimit. Bazuar në këtë z. Lajcak është duke zhvilluar disa propozime dhe ne jemi duke negociuar për ato propozime. Asociacioni është pjesë e Nenit 10, në momentin që pajtohemi për sekuencimin, atëherë palët janë të obliguara të fillojnë implementimin. Me këtë implementim, procesi është vendosur në atë mënyrë që në secilën fazë të punës me Asociacionin, faza e parë është miratimi i draft-statutit, e dyta është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pastaj vendimi i Qeverisë dhe i katërti element është themelimi. Në këto 4 faza, Serbia duhet të kryejë obligimet në drejtim të njohjes de-facto. Në momentin që jemi gati ta themelojmë trupën e quajtur Asociacion apo çfarëdo emri që i vendosim sepse Asociacioni nuk është një markë tregtare, Serbia duhet ta kompletojë njohjen de-facto. Ky është pozicioni i të gjithëve përfshirë Serbinë. Çfarë thonë ata publikisht është për konsum të brendshëm, por në Bruksel thonë që ne do ta njohim Kosovën de-facto. Në perspektivën e tyre, zhvillimi i parë apo vendimi i parë që duhet të bëjnë është që të njohin pasaportat, letërnjoftimet, certifikatat e lindjes, të gjitha dokumentet që lëshojnë institucionet e Kosovës. Ata duhet t’i njohin në momentin që institucionet e Kosovës miratojnë dokumentin e Draft-Statutit”, ka thënë numri dy i Qeverisë së Kosovës.