Ish-hetuesi policor në veri, Murat Mehmeti ka thënë se kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor” Boban Bogdanoviç ka kërkuar azil politik në Kosovë për shkak të Milan Radoiçiçit. Mehmeti ka thënë se ai ka kërkuar azil politik pasi është ndjerë i rrezikuar.
“Personin i cili ka ardhur nga Beogradi këtu në favor të zbardhjes së rastit. I njëjti person që ka kontribuar në zbardhjen e këtij rasti për vrasjen e Oliver Ivanoviçit është detyruar para pak ditësh të kërkojë azil. Ka kërkuar azil politik në Kosovë. Ai ka ardhur të dëshmojë në lidhje me rrjetin e personave të Radoiçiçit. Është njëfarë mjegullie, nuk e di interesin e tij konkret, nuk e di që ka pasur qëllim të krijojë mjegulli më shumë sesa që ka në dosje”, ka thënë Mehmeti, për mediat kosovare.
Milan Radoiçiç bashkë me Zvonko Veselinoviç dyshohen për ndërlidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviçit. Ivanoviç ka qenë lider i subjektit opozitar Iniciativa Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” i cili është vrarë para selisë së këtij subjekti në Mitrovicën e Veriut, nga të shtënat prej revoles, në janar të vitit 2018.