Kryeministri Kurti sot ka pritur në takim liderët politikë të Luginës, përfshirë edhe Shaip Kamberin, të cilin e uroi për mandatin e ri si deputet në Parlamentin e Serbisë.
ZKM ka publikuar pamje nga ky takim, ku Kurti dëgjohet duke thënë: Urime, përgëzime të gjithëve, se mirë u bë që ky bashkim rezultoi me sukses.
Mirëpo, për zgjedhjet që u mbajtën më 17 dhjetor në Serbi, ka reaguar edhe Shqiprim Arifi, i cili nuk ka raporte të mira me Kurtin.
Ai dje tha se në zgjedhje është shënuar pjesëmarrja më e ulët e votuesve në tri dekadat e fundit, për çka e ka fajësuar Kurtin. Arifi tha se Kurti e ka përçarë spektrin politik shqiptar në Luginë në dy lista.
“Kjo, si pasojë e përfshirjes së kryeministrit Kurti, i cili ka përçarë spektrin politik shqiptarë në Luginë në dy lista për garën në zgjedhjet parlamentare. Si rrjedhojë, një shumicë e konsiderueshme e qytetarëve shqiptarë, mbi 60 mijë, zgjodhën bojkotimin e zgjedhjeve si formë proteste ndaj spektrit politik në Preshevë dhe Bujanoc.”
“Injorimi dhe neglizhimi i takimeve dhe bisedimeve me krerët e shtetit amë – Shqipërisë, është një përgjegjësi morale e kombëtare të cilën do ta bartin përgjatë historisë edhe Shaip Kamberi, edhe Albin Kurti. Marrëdhëniet e Kurtit me udhëheqësit e Shqipërisë, i’u imponuan sot edhe popullit të Preshevës.”
Arifi tha se në këto zgjedhje shqiptarët do të mund të siguronin 3 ose 4 ulëse në parlamentin e Serbisë.
“Këto zgjedhje janë kthim prapa për shqiptarët në Luginë, jo vetëm përshkak të përçarjes por edhe me përfaqësimin e vetëm një deputeti në parlamentin serb, përkundër potencialit për të dërguar tre apo katër deputetë.”