Raportet Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë të tensionuara.
Madje, pas sulmit terrorist në Banjskë, kanë vazhduar në vazhdimësi deklarata provokuese nga presidenti serb dhe politikanët tjerë të Beogradit.
Së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka përjashtuar mundësinë e një sulmi të ri serb në territorin e Kosovës, pas atij të 24 shtatorit në Banjskë.
Së fundi në një intervistë të dhënë për gjermanen Stern, ai u pyet për mundësitë e një konflikti të ri nga Serbia.
Për këtë gjë, Kurti nuk përjashtoi mundësinë e një sulmi të ri, e për të cilin tha se nuk varet nga Kosova.
“Kemi një fqinj agresiv që nuk na pranon.
Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi sepse nuk varet nga ne. Por ne mbetemi vigjilentë dhe të mbështetur nga trupat tona dhe ato të aleatëve tanë të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmet e shtatorit për të garantuar sigurinë e vendit tonë”.
“Ne vazhdimisht e ndiejmë agresionin serb: ata kanë 48 baza të avancuara ushtarake dhe xhandarmërie nëpër Kosovë – në formë patkoi”.
Mirëpo, mbetet të shihet nëse do provojë një gjë të tillë Serbia, kjo marrë parasysh numrin e shtuar të pjesëtarëve të KFOR-it në komunat veriore të Kosovës.
Halimi: Besojmë që institucionet tona shtetërore janë në koordinim të vazhdueshëm me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë
Për këtë çështje në një prononcim për gazetën ‘Bota sot’ foli Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.
Së pari, ai tha se deklarata e Kurtit duhet të merret seriozisht.
Për këtë, vlerëson se informatat janë marrë nga burimet e inteligjencës nga tereni.
“Deklaratat e zyrtarëve shtetërorë kanë një bazë të fortë, sidomos e kryeministrit dhe presidentes, ato nuk guxojnë të dalin mbi bazën e hamendësimeve apo paragjykimeve.
Andaj, thirrjet e vazhdueshme të kryeministrit të Republikës së Kosovës për mundësinë e një sulmi apo sulmeve të reja qoftë terroriste apo të agresionit të hapur nga Serbia, vijnë si rezultat i informatave inteligjente nga tereni, çka edhe duhet të merren seriozisht nga vendorët e ndërkombëtarët.
Krejt këtyre deklaratave iu paraprijnë burime të sakta nga tereni, gjersa sipas legjislacionit, shefi i Agjencionit të Inteligjencës së Kosovës, AKI, është njëkohësisht edhe këshilltar për siguri i kryeministrit dhe presidentes”, deklaroi ai.
Halimi beson se institucionet e sigurisë janë në koordinim të vazhdueshëm me mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë, e që nuk do lejojnë që veriu të shndërrohet në vatër lufte.
“Andaj, besojmë që institucionet tona shtetërore janë në koordinim të vazhdueshëm me mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë, çka edhe kanë rritur numrin e pjesëtarëve për të menaxhuar pasigurinë eventuale që mund të vijë nga Serbia e Vuçiqit, me ndonjë metodë putiniste për të shndërruar veriun në vatër konflikti, e që të aneksohet pastaj, apo edhe me anë të akteve terroriste, gjë që shpresojmë bashkësia ndërkombëtare nuk do falë, ndryshe do të ishte absurde dorëzimi ndaj një Serbia gjenocidiale dhe përgjegjëse e së kaluarës dhe të tashmes”, përfundoi Armend Halimi për “Bota sot”.