Bariu nga Kosova: 112 delet i dalloj nga zëri, u kam vënë edhe emra

Adhurim Berisha është bari i ri nga Kosova, motiv për të rinjtë që zgjedhin të punojnë me përkushtim dhe në mënyrë të veçantë.

23-vjeçari zgjodhi të zhytet në borxhe për të blerë dele.

Në studion e programit të mëngjesit në “Zgjohu me MCN”, iu kthye blegtorisë si trashëgimi nga familja, duke marrë fillimisht borxh 10 mijë € dhe bleu 54 kokë dele.

Kam marrë 10 mijë € borxh për të blerë dele, isha vetëm 18 vjeç dhe normalisht as prindërit nuk e kanë besuar se do të arrij këtu ku jam.

Kam punuar me shumë punësh, por vendosa ti kthehem blegtorisë, si një trashëgimi nga familje, te zanati të parëve.

I bleva 54 kokë dele, i mora borxh, por të ardhurat ishin të vogla, nuk kisha as stallë, dhe e kam ndërtuar një stallë të improvizuar. Fatmirësisht ishte festa e bajramit dhe arrita që brenda vitit ti kthej të gjitha parat borxh.

Çobani Berisha thotë se të 112 delet e tij i njeh nga zëri, teksa u ka vënë edhe emra për identifikim.

Është sfidë për tu zgjuar herët, për ti nxjerr në kullos, ti ushqesh çdo ditë. Ato i kam vetëm për mish, jo për bylmet.

Kam arritur që të 112 delet ti dalloj nga zëri, u kam vënë edhe emra për identifikim. Secila ka veçantinë vet, shembull kam vënë emra si Sukë, bardhoka, cubja, arape, sorre, etj.