Kërcënohet gazetari Burim Pacolli

Pas kërcënimeve të raportuara nga gazetari i Nacionales, Burim Pacolli, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me rritjen e kërcënimeve online ndaj gazetarëve.

“Burim Pacolli – gazetar në Nacionale ka pranuar kërcënime nga një person përmes rrjetit social Instagram. Personi me nofkën “Edon Edon”, fillimisht e ka kërcënuar në komente gazetarin, e më pastaj në profilin e tij, ka kërkuar t’ia gjejnë adresën e banimit të Pacollit, me arsyetimin se po i duhet. Në njoftimin dërguar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Pacolli ka bërë të ditur se rasti është lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Më tej, AGK-ja e ka vlerësuar kërcënimin si të papranueshëm dhe të dënueshëm, dhe ka bërë thirrje për trajtim prioritar nga Policisë së Kosovës.

“AGK-ja, është e shqetësuar me trendin në rritje të kërcënimeve online në drejtim të gazetarëve dhe medieve, kaq lehtësisht nga qytetarët. Për AGK-në, kërcënimi ndaj Pacollit është i papranueshëm dhe dënueshëm, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet, dhe ndërmarrë hapat e nevojshëm në mënyrë që personi të mbahet përgjegjës”, thuhet në reagimin e AGK-së.