Ishte vetëm 19 vjeç kur preku tabakanë për herë të parë.
Prej 40 vitesh, Pëllumb Hajdini ka punuar kamerier në Berat dhe vetëm vitin e fundit është zhvendosur në Tiranë.
Në rrethin e ngushtë 62-vjeçari njihet si “Pëllumbi kamarier”, pasi gjithë jetën ia ka kushtuar këtij zanati. Nëse do të ishte përballë një zgjedhjeje tjetër, ai thotë se punën e kamerierit nuk do ta ndërronte me asnjë tjetër.
“Të kem një punë tjetër mund të shpërblehem më mirë, por nuk ndihem mirë. Nëse them e dashuroj këtë zanat e marrin për hipokrizi, por unë e dua këtë që bëj. Kam qëndruar edhe 48 orë në punë pa ndërprerë, e kam bërë me qef. Me këtë u rrita, edhe më thonë o pëllumbi kamarier”.
Kur vjen puna tek të hollat që fiton në fund të muajit, ai nuk është shumë i kënaqur, madje ka edhe një vërejtje për pronarët.
“Sot variojnë pagat e një kamarieri nga 40 mijë lekë, nuk janë të mjaftueshme, por një e keqe kryesore te pronarët është se paguhesh njësoj, si ata fillestarë si ata me eksperiencë. Ndërsa puna kërkohet njësoj. Nëse nuk vlerësohesh nuk ndihesh as mirë, i motivuar për të punuar”. Para 90 paga ishte me kategori, kategoria e parë merrte nga 3 mijë deri në 3.5 të vjetra, e dyta 380, ndërsa 415, etj. Unë atë kohë arrita deri në 560 që isha në kategorinë e katërt, se kategoria e pestë duhet të dije gjuhë të huaj”.
Para viteve 90 ai tregon se kamerierët paguheshin në bazë të kualifikimeve dhe eksperiencës, gjë që bënte edhe dallimin mes tyre.
“Para viteve 90 paga ishte me kategori, kategoria e parë merrte nga 3 mijë deri në 3.5 të vjetra, e dyta 380, ndërsa 415, etj. Unë atë kohë arrita deri në 560 që isha në kategorinë e katërt, se kategoria e pestë duhet të dije gjuhë të huaj. Më parë shpërbleheshim për punën që bënim, merreshim pagesë ekstra, tani nuk ndodh.”
Për Hajdinin, komunikimi, kujtesa dhe maturia janë sekretet kryesore të këtij zanati.
“Kamerieri duhet të ketë 3 gjëra kryesore, sipas meje. Duhet të ketë komunikimin, thuhet se në tregti komunikimi është arma që vret, duhet memoria, dhe mënyra e servirjes, është talent. Gjatë shërbimit janë disa elementë që duhet të t’i vrasë syri, duhet të jetosh me tavolinën dhe shërbimin. Të jesh i qetë, edhe nëse dikush të flet diçka jo të hijshme, duhet të bësh sikur nuk dëgjon.”
Kur vjen fjala te bakshishi, Hajdini thotë se kjo arrihet në bazë të aftësisë së komunikimit me klientët, ndërsa rrëzon poshtë shprehjen se klienti ka gjithmonë të drejtë.
“Motoja për 62 vjecarin “klienti ka gjithmonë të drejtë”, nuk e sheh si të tillë. Ai thotë jo në çdo rast ka të drejtë, por duhet t’i japësh. Ka raste kur vjen ndonjë i pirë dhe të ofendon, në këtë raste ca do i thuash. Do bësh sikur se dëgjon edhe do i japësh të drejtë. Duhet ta mirëkuptosh”.
Së fundmi ai na tregon edhe moton e tij, që e shoqëron çdo ditë në punë.
“Shkoj në punë sikur jam pa bukë, kthehem në shtëpi sikur kam fituar 100 milion lekë”./ shqiptarja.com