Dr. Shaqir Demiri ka rrëfyer një ngjarje emocionale, kur vajza e heroit Tahir Meha, Sala 9 muajshe e cila e kishte “shoqëruar” babain dhe gjyshin e saj gjatë betejës së 13 majit 1981 në Prekaz, ishte sjellë në Shtëpinë e Shëndetit në Skënderaj në gjendje të rëndë.
Demiri tha se vajza kishte qenë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, transmeton mitropol.
“Me djep e prunën. Ishte e pluhnosne, ishte në gjendje shumë të rëndë. Më interesojke së pari a është gjallë.”, rrëfeu ai.
Tutje ai tha se në momentin që vajza dëgjoi të rrodhte ujë nga çezma, ajo reagoi vrullshëm sikur do të thoshte më sill ujë.
“Si mjek aty e pashë për herë të parë fuqinë e instiktit për të mbijetuar”, tha Demiri.
Pasi i kishin dhënë për të ngrënë e për të pirë, dr.Demiri tha se vajzën e dërguan për trajtim tek bashkëshortja e tij tashmë e ndjerë, dr. Sanije Shala Demiri e cila kishte qenë specialiste e pediatrisë në spitalin e Mitrovicës.
Ai tha se kërkoi të angazhohen maksimalisht që ai fëmijë të shpëtoj, e ashtu edhe ndodhi.
Sala Meha sot gëzon shëndet të plotë, është grua e martuar dhe ka krijuar familje.