FIORELA KATROSHI/ Më 6 dhjetor 1797 lindi Naum Veqilharxhi. Në vitin 1800 familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823).
Duke qenë ortodoks dhe me lidhje patriotike, babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion për t’u vendosur me familjen në njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca). Që në rini, Naumi, i frymëzuar nga idetë atdhetare arriti të bëhej njëri nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë. Ai u bë një ndër ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtar i shkollës shqipe.
Iu deshën 20 vite për të përpiluar alfabetin e veçantë në gjuhën amtare dhe për të shtypur “Evëtarin”, që u hapi rrugën e shkrimit Abetareve të mëvonshme nga Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Parashqevi Qirjazi dhe Aleksandër Xhuvani. Me një sistem shkrimi prej 33 shkronjash, alfabeti i Veqilharxhit u përshtat me dialektet, me fonetikën dhe me gramatikën e gjuhës shqipe, si edhe ndikoi në përhapjen e shkrimit të saj. Dihet tashmë se Naum Veqilharxhi botoi dy abetare, më 1844 dhe 1845. E para ishte shumë e thjeshtë, vetëm 8 faqe.
Por shqiptarët e pritën ashtu siç pret shiun e verës toka e zhuritur dhe e tharë nga thatësira e gjatë. Naumi u trimërua nga kjo dhe botoi një të dytë me 50 faqe, ku pati hapësirën e nevojshme për të hedhur e për të shtjelluar edhe disa ide të tij në frymën iluministe të lirisë dhe të barazisë e miqësisë ndërmjet popujve. Hapi i dytë i rëndësishëm ishte pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, që dëmtojnë frymën kombëtare dhe ulin vlerat estetike të saj.
Fjalët e vjetra të “parpleqve” (stërgjyshërve) ai deshi t’i ringjallte. Gjatë punës për Abetaren e dytë, ai vëren se gjuha shqipe për shkak të rrethanave historike e kulturore (nga shumë të sjellat e të kthyerat e kohës) dhe më fort për shkak se nuk ka qenë një gjuhë që të mësohej në shkollë (edhe më fort që s’ka pasur dritat e të mpsuarit), ka marrë shumë fjalë e kuvise (shprehje) të huaja. (fq. 89). Le të shënojmë me këtë rast se ai futi në përdorim i pari termin fjalë e huaj.
N. Veqilharxhi u ballafaqua kështu me një problem themelor: ç’duhej të bënte me këto fjalë e shprehje të huaja? Ja përgjigjja e tij: “E para e punës ishte që si të mund të nxjerr fjalët e shprehjet e huaja dhe në vend të tyre të formoj të tjera nga brumi i gjuhës sonë dhe me gjithë që hëpërhë munt të mos tringëllojnë ëmblë mbë të dëgjuarit e veshëve, po kam shpëresë se koha do t’i ëmbëlsonjë (po aty)”.
Kështu fillon ajo që është cilësuar si lufta e rilindësve për pastërtinë e gjuhës shqipe, kështu fillon edhe neologjia e pasur dhe ende e pastudiuar mirë e Rilindjes Kombëtare. Ky qëndrim ndaj fjalëve të huaja përbën një nga pikat themelore në programin gjuhësor të Rilindjes dhe N. Veqilharxhi është autori i parë i atij programi. Hapi i tretë ishte pasurimi i fjalorit të gjuhës shqipe me fjalë të përshtatshme: a) të mbledhura nga goja e popullit pa dallim në vise të ndryshme nga veriu në jug; b) të krijuara nga letrarët dhe njerëzit e diturive me brumin e gjuhës shqipe, në ngjashmëri me fjalët e gjuhës popullore.