Ndodh edhe kështu, ’Pa Gjurmë’ i gjen nënën pas 38-vitesh, por ajo ia ’shpërblen’ për herë të dytë me refuzimin e saj. Daniel Mino u përlot në studio, ndërsa pa për herë të parë imazhin e të ëmës, të cilën nuk reshti së kërkuari.
’Pa Gjurmë’ udhëtoi në një fshat të largët të Beratit, ku mundi të gjente 60-vjeçaren, pas një telefonate që mbërriti në emision. E moshuara mbeti e habitur kur pa prezencën e kameras, por kur mësoi arsyen mohoi kategorikisht të takohet me të birin, duke e konsideruar një kapitull të mbyllur për të.
Ashtu siç edhe ka ndodhur 38 vite më parë, kur ajo e braktisi në maternitetin e Bilishtit, që ditën kur e solli në jetë, më 27 shkurt 1983.
Emocione të papërshkueshme përjetoi këtë të premte në studio Daniel Mino, kur emisioni ’Pa Gjurmë’ i kishte rezervuar këtë surprizë të madhe të jetës. Momente të vështira dhe të sikletshme ishin këto edhe për moderatoren Odeta Dume, e cila përveç lajmit që ’Pa Gjurmë’ i kishte gjetur nënën, duhej t’i komunikonte të riut se ajo e kishte refuzuar.
Pas publikimit të rastit të 38-vjeçarit korçar, një telefonatë që mbërriti në redaksinë e emisionit nga një zonjë, që preferoi të mbetet anonim dha të dhëna dhe koordinata të sakta të gruas, e cila rezultoi të ishte nëna biologjike e Danjel Mino.
Stafi i ’Pa Gjurmë’ udhëtoi në një fshat të largët në qytetin e Beratit, ku gjeti zonjën që kërkohej L.A. E martuar dhe me dy djem, madje edhe gjyshe, e moshuara u gjend e papërgatitur, ndërsa nuk pranoi të bëhej publik imazhi i saj.
Gazetari Freard Rista mundi të zhvillonte këtë intervistë, ku 60-vjeçarja sqaron arsyet pse braktisi të birin, i cili ishte fryt i një dashurie jashtë-martesore. Ajo ndihet e frikësuar, pasi këtë histori ia ka mbajtur sekret familjes.