“Babait i jam falenderuese për gjithçka”, çfarë shkruante Vanja para se të rrëmbehej prej tij

“Babait i jam falenderuese për gjithçka”, çfarë shkruante Vanja para se të rrëmbehej prej tij
14-vjeçarja Vanja Gjorçevska, ashtu si edhe Liridona (Ademaj) Murseli, kurrë nuk e kishte menduar se personi më i dashur, babai do ta vriste.

E mitura ishte nisur për në shkollë, kur 4 persona e rrëmbyen dhe e futën brenda një makine, falë informacioneve që babai i saj u kishte dhënë. Ky i fundit për të zhvatur para nga nëna e saj, vendosi të rrëmbente vajzën e tij.

Por pavarësisht kësaj, Vanja kishte një marrëdhëni të ngushtë me babain e saj. Këtë e dëshmojnë edhe sendet personale dhe shkrimet që ajo bënte në shkollë. Në një detyrë për ditën e falenderimeve, vajza 14-vjeçare kishte shkruar se ishte mirënjohëse dhe ishte falenderuese për tërë jetën për babain e saj për atë çfarë kishte bërë për të.

Të hënën, gjykata urdhëroi që babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski të mbahet në paraburgim për 48 orë. Në paraburgim u dërguan edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishev dhe Bora Videvski. Ndërkohë që në kërkim ndërkombëtar është shpallur Ljupço Palevski, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski,

Mediat maqedonase kanë zbuluar se Aleksandri, babai i Vanjës, ka komunikuar drejtpërdrejt me të dyshuarin kryesor për rrëmbimin e saj. Sipas informacioneve të policisë, nëna e Vanjës ka shitur banesën dhe motiv i zhvatjes kanë qenë paratë që ajo kishte marrë pasi ka shitur apartamentin.

Autopsia e trupit të 14-vjeçares Vanja në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistikës në Shkup ka përfunduar të hënën dhe kufoma i është dorëzuar familjes. Kjo autopsi do zbulojë më shumë detaje rreth kohës dhe shkakut të vdekjes së 14-vjeçares.