Me një fytyrë të vrenjtur ndonëse nga zëri tingëllonte rehat – pas 12 orësh negociata më 19 mars – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i kishte rënë fjalëve të tij të pëlqyera se “jam i kënaqur t’ju njoftoj që, më në fund, pas 12 orëve, kemi ujdi, dhe kemi ujdi se si do të bëhet ajo”.
Gazetarët që kishin pritur gjysmë dite negociata mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në atë që ishte pagëzuar si “Maratona e Ohrit” më në fund e kishin marrë lajmin se tashmë Marrëveshja e Ohrit është bërë dhe është “ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme” dhe atë mbi bazën e pranimit verbal, ndonëse firmosje (ose vendosje të inicialeve) në letër nuk kishte.
Por, ndonëse nënshkrim nuk kishte, Borrell shprehej qartazi para qindra gazetarëve – e që fjalimi i tij plotë do të botohej menjëherë në EEAS si dokument zyrtar i BE-së – se Aneksi i Ohrit nuk është veç një marrëveshje gojore; por për Serbinë do të përfshihej “menjëherë” në Kapitullin 35 të Kornizës së sja të Negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“(…) Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit, do të bëhet pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse në BE”, do të deklarohej Josep Borrell.
“Dhe për ta bërë shumë konkrete, do të nis punën menjëherë për të përfshirë zyrtarisht amendamentet përkatëse në Kapitullin 35 të Negociatave të Kornizës së Negociatave të Serbisë me BE-në dhe në agjendën e Grupit Special të Kosovës për Normalizim. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të jenë të detyruara nga Marrëveshja e cila do të jetë pjesë e rrugës së tyre në Bashkimin Evropian”, tha Borrell më 19 mars pas konkludimit të Marrëveshjes së Ohrit.