Giorgio Cafiero, ekspert i sigurisë nga “Gulf State Analytics (GSA)” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në një artikull autorial të botuar rishtas, ka shkruar mbi skenarët potencialë në realizimin e të cilëve llogaritë Serbia për të lëvizur drejt Kosovës ose vendeve të tjera fqinje, bazuar në statusin e rendit perëndimor dhe ngjyrimeve të reja në arkitekturën gjeopolitike.
“Së pari, rendi perëndimor shembet dhe Rusia e Kina mbushin boshllëkun në skenën ndërkombëtare mes rënies totale të SHBA-ve. Në rrethana të tilla, mund të imagjinohet lehtësisht që Serbia të veprojë guximshëm dhe të rimarrë kontrollin e plotë të Kosovës”, ka shkruar Cafiero.
Skenari i dytë mund të realizohet edhe nëse rendi perëndimor dobësohet, por nuk shembet. Cafiero ka vlerësuar se pas dobësimit NATO-s dhe zgjerimit të fushëveprimit ruso-kinez, shteti serb mund të provojë ta marrë kontrollin mbi pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.
“Pekini dhe Moska vazhdojnë të fitojnë ndikim të madh gjeopolitik, duke balancuar në mënyrë efektive një NATO që mbetet e paprekur, megjithëse një aleancë e dobët. Serbia, nëse ky skenar realizohet, mund t’i ribashkojë një pjesë të tokave në vendet fqinje”, ka shkruar Cafiero.
E skenari i tretë, sipas vlerësimit të ekspertit të çështjeve të sigurisë, vjen në konsideratë nëse rendi perëndimor mbizotëron dhe as Rusia e as Kina nuk arrijnë të ngjiten mbi SHBA-të. Cafiero ka vlerësuar se Serbia, sipas këtij skenari, ndonëse nuk do të jetë në gjendje t’i ndryshojë kufijtë në rajon, do t’i përdorë aktorët lokalë serbë për t’i shkaktuar probleme NATO-s.
“Por Serbia mund të përdorë grupet serbe të orientuara nga Beogradi dhe Moska në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi për të vazhduar ta bëjnë Serbinë një qendër rajonale të aftë për të nxitur probleme për NATO-n, duke forcuar përfundimisht statusin e Beogradit si një aktor që Perëndimi duhet të akomodojë”, ka vlerësuar ndër të tjera Cafiero.
Kosova, pavarësisht se cili skenar do të realizohet, do të vazhdojë të mbetet e kërcënuar nga revanshizmi i Serbisë, ka shtuar ndër të tjera eksperti amerikan i sigurisë, ndërsa mbështetja dhe angazhimi afatgjatë i NATO-s, nën drejtimin e SHBA-ve, mbetet çështje ekzistenciale për ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.