Rama: Në parlament është një hall i madh i disave që kanë probleme me drejtësinë, paga mesatare vitin e ardhshëm do jetë 900 euro

Gjatë qëndrimit në qytetin e Shkodrës, kryeministri Edi Rama foli në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste.

Ai komentoi veprimet e deputetëve të opozitës të cilët tashmë në seancat e fundit plenare, në vend të diskutimeve për shqetësimet dhe nevojat e komunitetit që i ka zgjedhur, shohin si alternativë rrugën e zhurmës, kaosit, djegies së flakadanëve deri në konfrontime fizike me kolegët e tyre socialistë.

Sipas Ramës, këto janë veprime, të cilat i bëjnë njerëzit kur humbin kontrollin mbi veten.

Ai tha se këto akte i bëjë ata persona, të cilët kanë probleme me drejtësinë dhe nuk u intereson halli i atyre që i kanë votuar.“Në parlament është një hall tjetër shumë i madh i dikujt, thonë, por nuk është vetëm njëri, por janë disa që kanë probleme me drejtësinë dhe që e kanë marrë peng parlamentin me akte që zakonisht i bëjnë njerëzit kur dalin nga kontrolli”, tha ai.

Rama u ndal edhe tek fondet, të cilat siç theksoi ai janë në dispozicion për rritjen e pagave dhe për ta përmbushur premtimin që në mesin e vitit të ardhshëm, paga mesatare në sektorin publik të shkojë në 900 euro.

“Pra, nuk kemi mundur ta themi në parlament, por e kemi thënë jashtë parlamentit, që kemi 400 milionë euro vetëm për rritje pagash.

Që do të thotë, pas rritjes së bërë këtë vit, vitin e ardhshëm do bëjmë një rritje shumë më të konsiderueshme për mjekët e përgjithshëm, për infermierët, për policinë, për Forcat e Armatosura dhe të gjithë punonjësit e tjerë të shtetit shqiptar dhe për mësuesit, që do ta çojmë pagën mesatare në mes të vitit të ardhshëm në 900 euro”, u shpreh kryeministri Rama.

Ai beson shumë tek rritja e turizmit, që sipas Ramës do të konsolidojë dhe do të rrisë më tej pagat e atyre që punojnë në këtë sektor shumë premtues për ekonominë e Shqipërisë.

“Sezoni i ardhshëm turistik do t’i çojë pagat në sektorin turistik në nivele edhe më të larta”, u shpreh ai.