Motivi që mund të ketë çuar Naim Murselin drejt – siç dyshohet – porositjes së vrasjes së gruas së tij ende nuk është zbardhur përfundimisht. Sidoqoftë, ka pasur një aludim se motivi mund të ketë qenë financiar. Për të përfituar nga sigurimi i saj në Suedi që ndoshta ishte milionësh.
Por, cila ishte pasuria e Naim Murselit?
Bazuar në deklarimin e tij të pasurisë të bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit gjatë kohës sa ishte këshilltar i jashtëm i Behgjet Pacollit del se Naim Murseli s’kishte… asgjë mbi vete.
Te Pasuria e Paluajtshme, Naim Murseli deklaronte se s’kishte asgjë. Hiç, as shtëpi, as banesë, as tokë. Bile, që ta siguronte mirë agjencinë se s’kishte asgjë ai do ta shkruante edhe vetë: “Pasuri të paluajtshme nuk kam”.
Te Pasuria e Luajtshme, deklaronte po ashtu se s’kishte asgjë. As veturë, sado të lirë.
Ai e deklaronte thjesht dhe vetëm një pagë nga Suedia që i shkonte në 15 mijë euro në vit. Pra, sërish tepër pak.
Mejithatë, ai do të deklaronte se ishte aksionar në dy kompani. Njëra TV/Al, ku i kishte 50 për qind në një kapital prej 1 mijë euro. Dhe tjetra në Munik GmbH me vlerë prej 12 mijë e 500 euro.