Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti lidhur me pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Për dallim nga ti Kryeministër, që dikur i ishe dorëzuar regjimit serb gjatë luftës, pa rezistencë, pjesëtarët e Njësisë Speciale që ti sot i fyen, më 24 shtator nuk u dorëzuan, por luftuan duke i mposhtur me turp terroristët e sponzorizuar nga Serbia”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Gazeta Sinjali.
“Andaj, mos e fyej Policinë sepse e dimë se kush je! Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë. Plotësoja kushtet”, ka shkruar Haradinaj sot në Facebook, duke iu referuar shkrimit të sotëm në media, se Kurti gjatë takimit me policët elitarë raportohet të iu ketë thënë “nuk keni bërë gjë me 24 shtator, i keni vrarë tre veta me snajper nga distanca”.
Ndryshe, pjesëtarët e Njësitit Speciale Intervenues kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, më 1 nëntor.
Ata kanë shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë
Sipas vendimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë.
Disa javë pas protestës, më 15 nëntor, Kurti i ka pritur në takim policët elitarë, të cilët siç raportohet i ka shokuar me fjalë që ua ka thënë.
Çfarë kërkon Policia nga shteti?
5 mijë e 623 policë të Policisë së Kosovës, kanë dhjetë kërkesa specifike për shtetin, dhe paralajmërojnë se është koha e fundit që ato të rezlizohen.
Kërkesat e tyre janë të renditura më poshtë:
1. Ligji i pagave;
2. Shtesa e rrezikshmërisë në punë;
3. Shtesa për punë të veçantë;
4. Klasifikimi në koeficient për stafin civil;
5. Shujta mujore;
6. Shpërblimi pë fund vit për performancë të mirë;
7. Tre paga përcjellëse për të pensionuarit;
8. Zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para;
9. Sigurimi shëndetësorë dhe jetësor;
10. Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës