Ndonëse kanë kaluar dy muaj e një ditë që nga sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, Milan Radojiçiqi, njeriu që e pranoi se udhëhoqi sulmin, vazhdon të jetë i lirë. Radojiçiqi i kaloi pak orë në stacion policor, ndërsa ndaj tij ende nuk është lëshuar ndonjë fletarrest ndërkombëtar. Nuk flitet as për ekstradim të Radojiçiqit. Por ku është sot Radojiçiqi?
Vendndodhja e Radojiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që mbi supe ka disa vepra të rënda penale, nuk dihet. Megjithatë, për vendndodhjen e tij ka raportime mediale dhe qëndrime të liderëve të Kosovës.
Vendndodhja sipas Kurtit
Në lidhje me vendndodhjen e Radojiçiqit ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në një shkrim të datës 19 nëntor, Kurti vlerësoi se në Rashkë të Serbisë, po ngjan “riorganizimi paramilitar e terrorist” i Radojiçiqit dhe grupit të tij.
“Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.
Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.” – theksoi Kurti, duke shtuar se në këtë takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, dhe nënkryetarët e saj, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq.
Tutje, Kurti përmendi faktin se Radojiçiqi ishte liruar brenda ditës pas sulmit të armatosur në Banjskë.
“Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore.
Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës.” – shkruante Kurti.
Ndërsa Petrit Selimi, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme, shkroi se Radojiçiqi po i ndihmon në fushatë zgjedhore Aleksandar Vuçiqit, president I Serbisë.
“Radoiqiçi doli në televizion duke pranuar udhëheqjen e tij në vrasjen dhe u lirua me kusht. Ai tani po ndihmon fushatën zgjedhore të Vuçiqit dhe me sa duket ka rrahur dy liderë serbë të veriut për marrëveshje dhe tenderë të pistë. Fakti që Kosova është i sanksionuar dhe Serbia jo, është i turpshëm.” – shkroi ai në X.
Vendndodhja sipas BIRN-it serb
Tri javë më parë, BIRN-i në Serbi ka raportuar për vendin ku po qëndron Milan Radojiçiqi, njeriu që dyshohet edhe për vrasjen në veri të Kosovës të ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq. Sipas këtij medium, Radojiçiqi po qëndron lagjen “Dedinje”, në pjesën ndoshta më të pasur të Beogradit, ku dikur qëndronte edhe ish-diktatori i Jugosllavisë, Josip Broz Tito.
Në shkrimin e BIRN-it serb, disa pjesëza të sëcilës i botoi edhe Nacionale, Radojiçiqi po qëndronte në një adresë të kompanisë “RAD 028” nga Zveçani. Në fakt, siç raportuan mediet serbe, Radojiçiqi ka dhënë dorëheqje javë më parë nga kjo kompani, duke ia transferuar hisen e tij vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesiloniviqn, biznesmenë kontraversë dhe të dyshuar për vepra penale.
“Në atë adresë ndodhet një ndërtesë me sipërfaqe 1161 metra katrorë, e cila ka tre apartamente dhe nëntë garazhe. Pronar i njërit prej banesave, një banesë pesëdhomëshe me sipërfaqe 245 metra katrorë, është kompania tashmë e përmendur “Rad 028” me seli në Zveçan. Në të njëjtin objekt në Dedinje, kompania “Rad 028” nga Zveçani posedon edhe tri garazhe nga 16 metra katrorë.” – shkruante BIRN, raporton Nacionale.
BIRN-i ofronte informacione edhe për fqinjtë e Radojiçiqit.
“Në njërën prej tyre, e cila është strukturalisht identike me ndërtesën në të cilën ishte regjistruar Radoiçiq, pronar i njërës prej tre apartamenteve është Nikolla Petroviq, kumbari i presidentit serb, ish-drejtor i ndërmarrjes publike Elektromrezha Srbije, i njohur për pasurinë dhe bizneset fitimprurëse të zhvilluara nga kompanitë e tij të shumta.” – shkruante tutje BIRN, që pasqyronte edhe një historik të gjatë të prejardhjes problematike të pasurisë së Radojiçiqit e Veselinoviqit.