Të parët e tyre, mes dhimbjes e mallit, u zhvendosën larg trojeve shqiptare… Ata nuk hoqën dorë për asnjë çast, së qeni shqiptarë: me fanatizëm e shumë dashuri, pa u lodhur ua trashëguan brezave, bashkë me gjakun, gjuhën, historinë, traditat e zakonet shqiptare. Sot, pas 300 vjetësh, këta fëmijë i thërret toka e të parëve: Shqipëria!
Unë jam Tetiana Siupiur (Mirabelle Supure) dhe kam lindur në jug të Ukrainës. Prindërit e mi janë nga një fshat që quhet Karakurt, ku jetojnë shqiptarët e Ukrainës. Ky fshat, ka më shumë se sa 200 vjet që është i banuar. Dhe për mrekulli, banorët e Karakurtit vazhdojnë të mbajnë gjallë gjuhën shqipe dhe traditat shqiptare. Jam rritur më shpirtin shqiptar, gjë që më ka përgatitur mire, të dal në jetë. Më ka bërë të jem njeri me kulturë.
Udhëtimi im i parë në vendin e parardhësve të mi, ka qenë në vitin 2007. Kam ndier një lidhje të fortë me shqiptarët dhe Shqipërinë. Kam ndier që i kam kuptuar dhe më kanë kuptuar. Edhe pas 200 vjetësh, flasim të njëjtën gjuhë. Kur isha në Shqipëri, kam menduar që edhe të rinjtë e tjerë nga komuniteti shqiptar në Ukrainë, duhet të kenë mundësi për të parë këtë vend. Fëmijët në shkollën e Karakurtit, mësojnë shqipen bashkohore. Një herë në vit, mësuesja e tyre e gjuhës shqipes, Natalia Kircheva, shkon në Universitetin e Tiranës, për të mësuar shqipen bashkohore, prej ku kthehet në Karakurt, për t’ua mësuar fëmijëve.
Të dashur miq, kudo që të ndodheni, “Karakurt 200-Vjetori i Ekzistencës së Shqiptarëve në Ukrainë”, ne kemi një projekt për të realizuar, së bashku! Duam të çojmë një grup fëmijësh shqiptarë nga Ukraina, në Shqipëri, për një pushim veror. Këta fëmijë mësojnë gjuhën shqipedhe historinë e Shqipërisë, por, asnjëherë nuke kanë shkelur tokën shqiptare.
Ju lutemi, të ndihmoni këta fëmijë që ëndrra e tyre për të shkuar në Shqipëri, të bëhet realitet! Të gjitha fondet që mblidhen do të jenë në dispozicion të komunitetit shqiptar në Ukrainë, që të financohet udhëtimi i fëmijëve në Shqipëri. Udhëtimi planifikohet të zgjasë 12 ditë (2 qershor – 13 qershor). Do të fillojë në datën 2 qershor, me nisjen nga fshati i Karakurtit, për në Shkup. Pas një nate që do të kalojnë në Shkup, do të vazhdojnë për në Tiranë, duke kaluar nga Qafë- Thana.
Në Tiranë, do të kalojnë një ditë e një natë dhe më pas, do të nisen për në Krujë, për të parë kalanë e Skënderbeut. Nga Kruja do të nisen për në Berat, ku do të qëndrojnë për një natë. Pas Beratit, do të shkojnë në Fier-Apolloni dhe Vlorë. Ditët e fundit do të kalojnë në plazhin e Orikumit ose të Vlorës. Gjithsej, kemi 16 vetë: 12 fëmijë dhe 4 kujdestarë. Gjatë udhëtimit do të postojmë foto këtu në “Facebook”. Urojmë të bëhet realitet, plani ynë! Ju falëndërojmë paraprakisht, për ndihmën tuaj…
Pak histori:
Shqiptarët e Ukrainës u larguan nga zona e Korçës, fill pas pushtimit turk dhe për 200 vjet jetuan në Bullgari. Më pas një pjesë u zhvendosën në Ukrainë dhe kanë 300 vjet që jetojnë aty. Numri i shqiptarëve që jetojnë në Ukrainë arin në 50 000 veta.
Shqiptaret e Ukrainës, fillimisht u vendosën në veri të Odesës, 220 km në afërsi të fshatit Karakut, së bashku me bullgarët dhe gagauzët. Në fillim të vitit 1860, një pjesë e fshatit Karakurt, sot Zhovtnjovoje, u shpërngul në rajonin e brigjeve të Azovit, rreth 10 km larg, ku u themeluan 3 fshatra: Taz, sot Devnenskoje, Tyshki sot Gjeorgjevka dhe Xhandran sot Gamovra, ku jetojnë ende sot në tokën që ua dhuroi Katerina II e Rusisë. Banorët janë toskë, të shpërngulur nga rajoni i Pogradecit dhe Korçës, si pasojë e përndjekjes osmane. Pas një rrugëtimi nëpër Greqi, Bullgari dhe Rumani përfunduan në Ukrainë. Gjuha që flitet sot në këto katër fshatra, Karakurt (Zhovtnjovoje), Taz (Devneskoje), Tyshki (Gjeorgjevka) dhe Xhandran (Gamovra), është një përzierje e shqipes toske me rusishten. Por megjithatë, zakonet, veshjet dhe tiparet dalluese mbeten të njëjta. Banorët e këtyre fshatrave e identifikojnë veten, si shqiptarë.