Stadiumi “Fadil Vokrri” është shndërruar në temë kryesore ditëve të fundit në vendin tonë.
UEFA së fundmi vendosi që të mos-zhvillohet asnjë ndeshje në të, vendim që preku fillimisht klubin e Ballkanit, pasi ndeshjen e ardhshme në Ligën e Konferencën ndaj Viktoria Plzenit, do ta zhvillojë në “Air Albania” të Tiranës, shkruan Gazeta Express.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) njoftoi pastaj se stadiumi “Fadil Vokrri” do t’i nënshtrohet një renovimi të plotë, me ç’rast nuk do të mund të luhet më asnjë ndeshje aty – përfshirë edhe miqësoret e Kombëtares së Kosovës, të parapara për t’u zhvilluar në mars të vitit të ardhshëm.
Tema rreth këtij stadiumi ishte diskutuar ditë më parë në emisionin “Favorit” në T7.
Analisti i përhershëm i këtij emisioni, Ismet Munishi, kishte deklaruar: “Kemi shumë probleme komplekse. Me luajt kombëtarja në këso fushe në shekullin 21, 23 vjet pas lufte, është turpi më i madh që mundet më ekzistu për krejt neve. Ne krejt po këqyrim TV për ditë, veç në Kosovë po shohim lloç. Tash bëhen fushat hibrid, kombinohen artificial me natyral, sidomos në vendet me klimë sikur ne. Kur të vjen tash në këtë gjendje, gjuhet topi herë atje herë këtu. Është gabim edhe i Komunës së Prishtinës”. /Gazeta Express/