Ramadani: Vjosa Osmani nuk ia pati vazhduar kontratën William Walkerit, Ganiun po e paguajnë 7500 euro

Analisti Shkodran Ramadani, në një intervistë për Periskopin ka komentuar pagën e këshilltarit për kulturë dhe media, Gani Jakupi, pas publikimit të lajmit ekskluziv nga Periskopi se super-këshilltari paguhet 7500 euro në muaj, për angazhimin e tij nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami shkruan Periskopi.

Ramadani ka thënë se edhe Vjosa Osmani është i njejti partner i Qeverisë Kurti që i ka ndërprerë kontratën William Walkerit, ani pse përmasat e këtij të fundit janë shumëfish më të mëdha se sa të Gani Jakupit dhe të çdo figure në Qeveri.

“Mos të harrojmë se është e njejta Qeveri, apo partner i Qeverisë. Vjosa Osmani si presidente, nuk ia ka vazhduar kontratën William Walkerit i cili është paguar 5000 euro në atë kohë. Përmasat e z.Walker janë shumëfish më të mëdha, jo vetëm se z.Gani Jakupi, por edhe se çdo personalitet tjetër figurë në Qeverinë Kurti”, ka thënë Ramadani për Periskopin.

Për Gani Jakupin, Ramadani u shpreh se është një artist mediokër, i cili nuk e meriton pagën prej 7500 euro.

“Z.Gani Jakupi, përveç që është një artist mediokër që nuk i meriton ato 7500 euro, në fakt ai paguhet jo për të bërë diplomaci, por siç e ka dëshmuar edhe vet në media edhe në aktivitetin e tij në rrjete sociale më shumë për të diskutu për ta mbrojtur Qeverinë në rrjetet sociale, se sa ta promovojë shtetin e Kosovës në vende të ndryshme evropiane”, tha ai.

Kujtojmë se dje Periskopi ka publikuar një lajm ekskluziv në lidhje me këshilltarin e ministres Donika Gërvalla, Gani Jakupin i cili paguhet hiç më pak se 7.500 euro në muaj ose 90.000 mijë euro në vit. Pas kësaj pati reagime të shumta si nga opozita, por edhe shoqëria civile./Periskopi 

VIDEO