Tri javë pas futjes në listë të zezë të SHBA-së, zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, është përjashtuar nga shërbimi civil. Për masën ndaj tij njoftoi të mërkurën ministri Liburn Aliu. Por, i sanksionuari nga SHBA-ja, të mërkurën u bë shkak i përplasjes në distancë të të dy ministrave të Qeverisë Kurti
Nexhat Krasniqi, i njohur si “Baba i tenderëve”, ka krisur raportet e dy ministrave brenda Qeverisë Kurti.
Ai është bërë shkak që ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të përplasen në distancë.
Ministri Aliu, në dikasterin e të cilit ka punuar i sanksionuari nga SHBA-ja, i çoi porosi Haxhiut pas deklarimit të saj për koha.net se zyrtarët si Krasniqi nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës.
Ai tërthorazi i kërkoi ministres të merret me punët e saj.
“E dimë që ministrja ka tepër shumë punë në vendosjen e këtij sistemi të drejtësisë. Por megjithatë e falënderoj ministren që ka gjetur kohë edhe përkundër kësaj pune, me na ndihmu në këtë çështje”, ka thënë Aliu.
Ministri i Infrastrukturës në konferencën e mbajtur të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë njoftoi se nga komisioni disiplinor është marrë vendimi që Nexhat Krasniqi të përjashtohet nga shërbimi civil.
Aliu ka paralajmëruar auditimin e kontratave, në të cilat ishte i përfshirë Krasniqi.
“Tash pas kësaj situate, sidomos duke pritë informacione që do të marrim edhe nga Departamenti i Shtetit mbi situatën me të cilën ka të bëjë me z. Nexhat Krasniqin, çkado që shpie në situatë të dyshimtë, menjëherë do të kërkohet auditim”, ka shtuar ai.
Nexhat Krasniqi është futur në listën e sanksioneve të SHBA-së me arsyetimin se është përfshirë në korrupsion të madh gjatë kohës sa ishte drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Ai ishte drejtor i këtij divizioni deri më 3 nëntor, kur u përfshi në listë të zezë. Po të njëjtën ditë u pezullua, porse kur u kthye në punë disa ditë më vonë, mori detyrën e drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, që si pozitë është më e lartë sesa ajo paraprake.