EKSKLUZIVE: Donika Gërvalla dhe ambasadori Agron Bajrami angazhojnë këshilltar me rrogë 7.500 euro në muaj

Gani Jakupi merr 7.500 euro pagë mujore nga Ministria e Punëve të Jashtme e Donika Gërvallës. Ai jeton në Spanjë por është angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si ‘këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike’.

***

Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, nuk i janë dashur as dy javë për ta gjetur një ‘super-konsulent’ me emrin Gani Jakupi për ta këshilluar Ambasadën e Kosovës në Bruksel, lidhur me çështje që kanë të bëjnë kryesisht me diplomacinë publike dhe kulturore.

Në qershor të këtij viti, Ministria e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi të cilin e posedon Periskopi dhe mund t’i shihni më poshtë, ia ka deleguar kompetencat e negociimit të një kontrate për ‘super-konsulentin’, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, z.Agron Bajrami.

Eksperti do të gjendej shpejt. Quhet Gani Jakupi dhe jeton në Barcelonë të Spanjës.

Paguhet nga buxheti i Kosovës, hiç më pak se 7,500 euro në muaj ose 90.000 euro për një vit. Nga përshkrimet online që i bëhen z.Jakupi, referencën më të shpeshtë rreth tij, mund ta gjeni të përmbledhur kështu: ‘ai është një artist shumë-dimensional’.

Për ta gjetur konsulentin, Ministria e Jashtme kishte hapur ofertë më 13 qershor 2023 dhe dy ditë më vonë, pra më 15 qershor 2023, Komisioni vendos të mblidhet për ta përfunduar procesin e vlerësimit (të kandidatit, v.j).

Katër ditë më vonë, më 19 qershor 2023, Ministria e Jashtme e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi, ia delegon kompetencat për këtë proces, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, z.Agron Bajrami (shih vendimin më lart). 

Ky i fundit, nëpërmjet vendimit të MPJ-së, të datës 19 qershor 2023, merr kompetencën që i delegohet për super-këshilltarin dhe të nesërmen, më 20 qershor 2023, lidh kontratë me Gani Jakupin – që sipas saj, referohet si ‘Konsulent i Jashtëm për Çështje Kulturore dhe Mediatike’.