Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq janë marrë vesh për Asociacionin.
Nënkryetari i LDK-së, njëkohësisht kryetar i komunës së Pejës, ka hedhur dyshime se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është marrë vesh me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për ta formuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Muhaxheri, në “Debat Plus, tha se draft-statuti për Asociacionin mund të jetë dorëzuar nga vetë Kurti dhe pastaj është pranuar edhe nga Vuçiq.
“Është dashur të jetë më i mençur se ata dhe ta dorëzojë një dokument vetë. Veç nëse ky dokument është që e ka dorëzuar vetë dhe është dakorduar me Vuciqin, dhe na servohet si dokument i dikujt tjetër. Ka një dyshim se këta janë marrë vesh dhe tash hajt si ta paketojmë. Këtu duhet të ngjallet dyshimi. Si është e mundur që një njeri dhe zv. kryeministër, njëri i ka votat, por tjetri është i emëruar, po folin për të ardhmen e vendit. Nëse është pranuar e po shihet që po, do të jetë në tavolinë edhe në Qeveritë e ardhshme”, tha ai.
Muhaxheri tha se Kurti po flet ndryshe me opozitën e ndryshe siç i quajti “me militantët e tij”.
“Nga gjuha që po e përdor te opozita, shihet që është pranuar, kurse te militantët thotë jo, luani s’e pranon këtë”, tha ai.