Ngjela del me paralajmërimin e fortë: Çështja shqiptare në rendin e ditës në Evropën Perëndimore, tri shtete s’e ndalin dot

Avokati Spartak Ngjela në një shkrim të gjatë në rrjetet sociale ka bërë me dije se asnjë nga shtetet që kanë qenë aleate më antishqiptarizmin e tyre historik tani nuk kanë më mundësi të bëhen pengesë pasi çështja shqiptare është ende në rendin e ditës në Europën Perëndimore.

Më tej Ngjela thotë se: “Ndërsa Serbia po pret ndoshta ndonjë luftë si Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore ku ajo përfitoi territoret shqiptare si dhuratë nga fuqitë e mëdha për të.

Por ajo kohë nuk mund të kthehet më, dhe tani politika serbe e kupton se Serbia është një e mundur në luftë: ka dalë Kosova si shtet i pavarur, dhe është trembur Greqia për Çamërinë”.

Shkrimi i plotë:

Çështja shqiptare është ende në rendin e ditës në Evropën Perëndimore. Ajo do të vijojë, duan apo nuk duan Serbia, Greqia dhe Mali i Zi.

I. Këta tre shtete nuk janë të qartë për historinë që do të vijojë bota shqiptare në Gadishullin Ilirik dhe, bashkë me ta, po ashtu, as Franca dhe as Rusia.

Gjithçka tani ka hyrë në linjën që mban me vete pyetjen: si do të shkojë me tej progresi i çështjes shqiptare?

Por edhe Franca, edhe Rusia, edhe Greqia kanë qenë aleatë kryesorë në antishqiptarizmin e tyre historik.

Kurse tani…

Tani nuk ka më asnjë mundësi që çështja shqiptare të mos vijojë progresin e saj drejt Shqipërisë Etnike.

Gjithçka ecën me pyetjen: ende Perëndimi është kundër Shqipërisë etnike edhe pse ndërkohë në Ballkan janë dy shtete shqiptare?

Pikërisht për këtë fakt tani, pas Luftës së Kosovës, kjo pyetje nuk i pengon dot më shqiptarët, sepse ndërkombëtarisht është pranuar edhe shtetit i dytë shqiptar që është Kosova.

Po Serbia, a mund të rihapë një luftë të re në Ballkan?

II.

Serbët politikisht, në fakt, nuk po duan ta kuptojnë që Serbia ka humbur orientimin politik dhe, pikërisht për këtë, nuk mund të ndihmohet më nga Shtetet e Bashkuara.

Tani, e gjithë historia që ka qenë e zbatuar në falsitet për krijimin e Serbisë dhe kundër të drejtave të shqiptarëve dhe shqiptarisë në Ballkanin Perëndimore, nuk mund të vijonte më, prandaj ajo tani ka ndaluar.

Në fakt, duhet theksuar se ajo ka ndaluar qëkurse politika amerikane e përqendroi interesin e saj politik te bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Dhe kësaj politike nuk mund t’i rezistojë as Serbia, as Greqia dhe as Rusia. Historikisht këta kanë qenë tre prishësit e mëdhenj të Shqipërisë etnike.

Por, viti 1997 me luftën ndërkombëtare për dhe me Kosovën, e mbylli këtë kapitull në favor të shqiptarëve.

Ndërsa Serbia po pret ndoshta ndonjë luftë si Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore ku ajo përfitoi territoret shqiptare si dhuratë nga fuqitë e mëdha për të.

Por ajo kohë nuk mund të kthehet më, dhe tani politika serbe e kupton se Serbia është një e mundur në luftë: ka dalë Kosova si shtet i pavarur, dhe është trembur Greqia për Çamërinë.

Por ende edhe politika serbe, edhe politika greke po bëjmë sikur nuk po e kuptojnë, kurse politika shqiptare sot duhet të hyjë plotësisht në psikologjinë e fitimtarit të historisë së re. Ajo ka hyrë, por duhet domosdoshmërisht që të krijojë një marrëveshje të thellë juridike Shqipëri-Kosovë, por edhe me shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi.

Sllavët nuk i asimiluan dot shqiptarët edhe pse përdorën metodat më mizore për këtë qëllim. Por, kjo forcë shqiptare, tani e ka me vete historinë…

III.

Sot superioriteti shqiptar në Gadishullin Ilirik kuptohet qartë nga gjendja politike në Beograd.

Politika serbe është në mjerim ndërkombëtar, prandaj e vetmja shpresë i ka mbetura te Rusia. Por kjo është më shumë një shenjë dobësie tyre. Dhe me të duan t’i mbajnë serbët me shpresë, sepse kanë qenë këta politikanë që i kanë “garantuar” për rimarrjen e Kosovës. Dhe konflikti i fundit në Banjec qe thjesht një dështim i kryeministrit Vuçiç, i cili është drejt falimentit të tij politik. Por, a do ta japë dorëheqjen Aleksandër Vuçiç?

Por edhe shqiptarët duhet të kujtohen vijimisht se serbët, pushtues territoresh shqiptare, e trajtonin pushtimin e Kosovës si çlirim të serbëve që jetojnë në veriun e Kosovës.

Serbët nga pasioni i vjetër i tyre antishqiptar, nuk e menduan asnjëherë që historia e Shqipërisë do të dilte ndërkombtarisht tek e vërteta.

Serbët i mbante shpresa që shqiptarët janë në shumicë të fesë islame, dhe Serbia do t’i mundte ata me ndihmën e Perëndimin, siç i mundi edhe në vitin 1912 – 1913.

Por, koha e përmbysi këtë argument që nuk ka lidhje me etninë, dhe shpresa e tyre e verbër për të krijuar një luftë fetare në Shqipëri, dështoi me turpin e tyre.

Serbët kurrë nuk e kuptuan dot filozofinë brilante të Rilindjes Kombëtare Shqiptare që feja e shqiptarit është Shqiptarit.

Një ide gjigante kjo që tani të gjithë kundërshtarët e Shqipërisë e kanë kuptuar. Dhe kjo filozofi, në këtë kohë i ka dhënë shqiptarëve një vlerë të madhe në Perëndimin e lartë, sepse kjo është filozofia më moderne për atdheun dhe kombin.

Dhe kuptohet se kjo filozofi do të vijojë më me forcë, prandaj dhe shoqëria shqiptare në të dy shtetet e saj në Gadishullin Ilirik, po krijon një vlerë të re në historinë moderne, në lidhje me kombin, fenë dhe atdheun.

Kjo filozofi brilante e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, nuk e përfill fenë në funksion të kombit. Feja është çështje shpirtërore e një populli, kurse atdheu sot është çështja kryesore e mbijetesës kombëtare. Dhe prandaj sot në Shqipëri dominon toleranca e lartë fetare në të tria fetë e popullit shqiptar.

Feja e shqiptarit është shqiptaria…

Këtë u tha shqiptarëve Rilindja Kombëtare, dhe kjo doli të ishte ashtu sikundër edhe është, thelbi historik i zhvillimit shqiptar. Prandaj të dy shtetet shqiptare dhe gjithë etnia shqiptare në Gadishullin Ilirik e ka me vete këtë filozofi moderne të shqiptarisë, e cila ndërkohë ka krijuar forcën e të dy shteteve shqiptare.

Shqiptarizmi do të vijojë edhe me tej në shkëlqimin e tij historik.

Keni për ta parë…