Në veri të Kosovës, për dy javë që nga hapja e afatit të ri për riregjistrim, janë regjistruar rreth 1500 vetura me targa legale me RKS.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga data 1 nëntor deri më 1 dhjetor 2023 të mundësojë riregjistrimin e automjeteve nga targat e vjetra serbe në ato të reja të Kosovës.
Ky vendim, siç theksoi Qeveria në sqarim, është rezultat i një numri të madh kërkesash për riregjistrim të automjeteve.
Qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës këto ditë vijnë dhe bëjnë riregjistrim, gjë që ishte thuajse e pamenduar deri para disa javësh, nga frika se mos u digjen automjetet.
“Të gjithë e njohin Kosovën, e unë kishe nuk po e njoh”
Ekipi i agjencisë turke të lajmeve “Anadoly” gjeti disa automjete që prisnin në radhë për kontroll teknik në Mitrovicë, për t’u riregjistruar në targa të reja.
Shumica nuk ishin në disponim për të folur në media.
Një nga të paktët që u pajtua është Dragan Kostiq nga fshati Sllatinë, afër Vushtrrisë, i cili jeton në fshatin Grabovc, komuna e Zveçanit që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999.
“Vendosa sepse nuk ka rrugëdalje tjetër. Unë jetoj në një vend që ne, bëhemi sikur nuk e njohim, por, realisht, njihet. E gjithë bota e pranoi, e unë kishe nuk po e njoh”, tha Kostiq.
Ai thekson se deri më tani ai lirisht ka mund ta vozisë veturën e tij me targa KM.
Kostiq shton se edhe vitin e kaluar ka qenë i vetëdijshëm se duhet ta riregjistrojë veturën, por ka pasur frikë se mos i digjet vetura ose e rrahin.
Afati i fundit për riregjistrim është 1 dhjetori
Një pjesë e madhe e qytetarëve nga komuniteti serb që jetojnë në veri të Kosovës kanë vendosur që të riregjistrojnë veturat e tyre në Serbi, kështu që në rrugët e Mitrovicës më së shumti shihen automjete me shenja të qyteteve në Serbi si NP, BG, KG, LE…
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës thekson se deri më 1 dhjetor 2023 qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë nga përfitimet për regjistrimin e targave të Kosovës, të cilat përfshijnë doganën, tarifat administrative në Qendrën e regjistrimit të automjeteve, tarifat për targa dhe tarifat për pajisje me certifikate regjistrimi të mjetit.
Pronarët e automjeteve me targa të vjetra të Serbisë nuk do të lejohen të regjistrohen me targa RKS pas datës 1 dhjetor dhe as të lëvizin brenda apo përtej territorit të Republikës së Kosovës.