Hoxha nga Shkupi: Jam shqiptar dhe mysliman tolerant, s’jam fundamentalist

Zekerija Idrizi

Shpirtin tim tolerant, universal e kosmopolit nuk e kam trashëguar vetëm nga mësimet e fesë islame, por këtë virtyt, parasëgjithash, e kam të mpleksur, të ngjizur në shpirtin tim, përkatësisht në etnopsikologjinë time prej shqiptari të mirëfilltë. Thjesht toleranca, koegzistenca, kosmopolitizmi etj. janë veçori dalluese e imanente të etnosit tim. Etnosi im, thjesht asnjë emër i tij nuk bëri krime mbi racat e etnoset e tjera, nuk gllabëroi pjesë tokash të gjeografive të etnoseve të tjera. Asgjëkundi në analet, leksikonet a enciklopeditë e etnosit tim nuk figurojnë termet pezhorativë: inkuizicion, shën Bartollome, antisemitizëm, holokaust (Auschvitz), terrorizëm, ekspansionizëm, fundamentalizëm etj. Kjo thjesht për faktin, e dëshmuar katërcipërisht, se këto akte krimi e gjenocidi u ushtruan pamëshirshëm mbi hartën e tokës dhe mbi qenien e etnosit tim iliro-shqiptar, duke e katandisur kështu tokën time në një Shqipëri-ILIRI xhuxhe me pjesëzat e tjera të saj të shpërndara në gjeografitë sllavo-ortodokse, kryq e tërthorë kufinjve që ia kishin vërë asaj padrejtësisht hasmit (armiqt).

Etnosi im, madje, ka kredon morale dhe krenarinë kombëtare, përmasash planetare, që diti, sot e dymijë vjet më parë, t’i dhurojë botës të tillë kolosë që dhanë një kontribut të çmueshëm në humanizimin e jetës, njeriut dhe botës në përgjithësi.

Vallë s’i dhuruan botës moderne frymën e sotme të kosmopolitizmit, koegzistencës e të tolerancës njerëzore, qysh nga antikiteti burrat e fismë, bujarë e zemërgjerë iliro-shqiptarë, kur këtu e njëmijë e pesëqind vjetë më parë, mu në brendi të Gadishullit ILIRIK, ju ofruan konak të ngrohtë, bukë, kripë dhe zemër, si dhe e ndanë më dysh atë trohëzë tokë që kishin për t’u bërë një grimë vend, pa kurrfarë qiraje a dëmshpërblimi, sllavëve ardhacakë, të ikur nga matanë Karpateve pa pasur ama hiçgjësendi me vete: pa bukë e ujë, të mërdhirë e të raskapitur nga gjithë ajo rrugë e gjatë dhe e stërmundimshme?
Etnosi im ndër shekuj pranoi që të gjitha mesazhet Hy jnore: mesazhet psalmisto-biblike të Davidit (Zeburin e Davudit), ato tevrato-talmudiane (të Torës, Dhjatës së Vjetër-Tevratit) të Mojsiut (Musait), ato ungjillore-biblike (të Dhjatës së Re-Ingjilit) të Jezuit (Isait), si dhe më në fund ato Kur’anore të Muhammedit. Toleranca fetare, ndërkaq, është komponent inherent, do të thosha, është veçori unikale, botërisht e paprecedent e etnosit tim. Ndonëse i përkasim dy feve të mëdha: Islamit dhe Kristianizmit dyritësh, katolik e ortodoks, kurrë përgjatë historisë sonë nuk ka pasur fërkime, përplasje a konflikt ndër-religjioz midis myslimanëve dhe kristianëve. Përkundrazi! Si në të kaluar ashtu edhe sot, vazhdojmë të jetojmë bashkërisht në një harmoni të thellë ndër-religjioze e njerëzore, harmoni kjo të cilën na e kanë lakmi të gjitha kombet e qytetëruara në botë.
P.S.
Përfundimisht jam një mysliman modest dhe jashtëzakonisht tolerant e i hapur në takimet e mia inter-religjioze, inter-etnike dhe inter-kulturore me të tjerët, e kurrsesi fundamentalist “taleban” a “binladenian”, njëlloj si unë janë edhe shumica dërrmuese e pjesëtarëve të fesë islame. Dhe kjo nuk përbën vetëm një deklaratë shterpe timen, e thënë ashtu kuturu, e as mbase demagogji. Këtë ndjenjë, këtë mendësi unë, në kooperim me myslimanë të tjerë të shëndoshë, tolerantë e inteligjentë, e vë për çdo ditë në jetë, kuptohet në saje të mundësive të mia “e ndez një qiri të vogël për të bërë një grimë dritë; “e ndez flakadanin e këndelljes, rimëkëmbjes dhe regjenerimit tonë gjithënjerëzor drejt një të ardhme më të mirë, drejt DRITËS së ZOTIT” …

(Fragment nga libri im “Fundamentalizmi islamik si fiksion dhe myslimanët anti-fundamentalistë”, Zekerija Idrizi ,Shkup, 2017)