“Sot, po të kem mundësi, ec. Akshami s’do të më zinte këtu. Me padurim po e pres janarin”.
Me datën 1 të këtij muaji, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në dhjetëra vende të Evropës dhe Qëndrimi thotë se nuk mendon gjë tjetër veçse të udhëtojë drejt Gjermanisë te xhaxhallarët e tij.
Si 25-vjeçar, ai është pajisur për herë të parë me pasaportë para dhjetë ditësh.
Thotë se në Kosovë punon në një kompani private ndërtimi, e cila “nuk e paguan mirë”.
“Do të mundohem të punoj në Gjermani, njëherë nga tre muaj. Më vonë, shpresoj të mbes atje”, thotë Qëndrimi, duke mos dashur të identifikohet edhe me mbiemër.
Liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të asaj që njihet si zona Schengen.
Por, udhëtimet e tilla duhet të shërbejnë vetëm për vizita turistike apo çështje familjare, dhe nuk nënkuptojnë assesi leje pune ose përfitime të tjera.
Sikurse Qëndrimi, edhe dhjetëra-mijëra qytetarë të Kosovës kanë aplikuar sivjet për herë të parë për pasaportë.
Të dhënat që Radio Evropa e Lirë i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës mbulojnë periudhën 1 qershor – 6 nëntor të këtij viti dhe, sipas tyre, janë 51.365 qytetarë që kanë aplikuar për herë të parë për pasaportë.
Krahasuar me shifrën e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, 48.791, bëhet fjalë për 2.574 aplikime më shumë.
Në mesin e tyre dominojnë grup-mosha 0-2 vjeç dhe grup-mosha 18-22 vjeç.
Ardi Ukaj, 21 vjeç, aplikoi në fund të tetorit për t’u pajisur me pasaportë – po ashtu për herë të parë.
REL-i e takoi atë në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Prishtinë, ku po interesohej nëse dokumenti i tij është gati.
Gjermania është edhe për të destinacioni i dëshiruar.
“Por, si turist, për vizitë… Nuk punoj pa dokumente të rregullta, sepse ma ndalojnë hyrjen dhe nuk rrezikoj”, thotë Ardi. /teksti i plote: REL/