Partia e Serbëve të Kosovës (PSK) ka kërkuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të jetë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në interes të serbëve.
“Asociacioni, si një projekt për të cilin është dakorduar saktësisht dhjetë vjet më parë, me garanci nga i njëjti Perëndim, tani ka nevojë për “të dashurit e Perëndimit” që të shërbejë si maskë për spastrimin etnik të serbëve dhe heqjen e të gjitha të drejtave të tyre dhe të atyre që madje edhe Kushtetuta garanton. Serbët nuk do ta pranojnë kurrë një Asociacion nëse ai përkufizohet si mjegull në të cilën duhet të humbasim identitetin dhe të drejtat tona”, pretendohet në kumtesën e kësaj partie serbe.
“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe interesin e popullit serb në Kosovë”, thonë nga kjo parti.
“Kushtetuta e Kosovës në krahasim me të drejtën kolektive të serbëve për një jetë normale, të papenguar dhe të sigurt në Kosovë “është çështje dytësore” dhe nuk mund të vihet kurrë në plan të parë”, pretendohet në këtë kumtesë, e cila, është e qartë se është vetëm edhe një propagandë parazgjedhore.
Ata thonë se “askush asnjëherë nuk është konsultuar me serbët e Kosovës dhe as nuk ka marrë parasysh nevojat dhe interesat e tyre dhe se pa serbët dhe pëlqimin e tyre nuk ka Asociacion”.
“Vetëm përmes pushtetit ekzekutiv mund të arrihet në pozita nga të cilat mund të përmirësohet jeta e serbëve, dhe gjithçka tjetër është vetëm një konfirmim se Albin Kurti nuk është i vetëm në planin e tij për të dëbuar në heshtje serbët nga Kosova dhe se ka aleatë dhe mentorë për këtë”, përfundon kumtesa.
Ky reagim vjen pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se drafti i Statutit të Asociacionit do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe pa kompetenca ekzekutive.