James C. O’brien, Ndihëms sekretar për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, ka udhëtuar për në Paris të Francës, ku po qëndron edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Madje, sipas një komunikatë të Departamentit të Shtetit, O’brien do të takohet me Kurtin dhe me disa liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor. Çka shkroi DASh-i?
Në komunikatën e DASh-it, tregohet se O’brien do të udhëtoj në Francë e Bruksel mes dative 9 dhe 14 nëntor. DASh-i ka treguar edhe për takimet që O’brien do t’i ketë në Forumin e Paqes në Paris, ku po qëndron edhe Kurti, me të cilin do të ketë edhe një takim.
Përveç me Kurtin, O’brien do të takohet edhe me Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë. Tema e diskutimeve, sipas komunikatës së DASh-it, pritet të jenë “çështjet rajonale dhe dypalëshe”.
“Gjatë qëndrimit në Paris, ai do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris dhe do të takohet me drejtorin politik francez Frederic Mondoloni dhe zyrtarë të tjerë francezë për të diskutuar sfidat rajonale dhe globale. Ndihmës Sekretari O’Brien do të takohet gjithashtu me liderët evropianë, duke përfshirë kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministrin armen Pashinyan, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidentin malazez Milatovic dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovachevski për të diskutuar çështjet rajonale dhe dypalëshe.” – shkruhet në komunikatën e DASH.
Ndryshe, mbrëmë në Paris të Francës ka “zbarkuar” edhe kryeministri Kurti, i cili ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudse, ndërsa të dytë u pritën nga Emmanuel Macron, president i Francës.
“Në Pallatin Élysée, bashkë me Ritën, mysafirë të Presidentit francez Macron dhe Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, në prag të edicionit të gjashtë të Forumit të Paqes në Paris.” – shkroi Kurti në profilin e tij në Facebook.