Ajo që po ndodh në Palestinë është “gjenocid” dhe përpjekje për të shfarosur një popull të tërë, tha ministrja për të Drejtat Sociale e Spanjës, Ione Belarra duke kërkuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, raporton Anadolu.
Duke folur në Parlament të mërkurën, Belarra pyeti Partinë Popullore konservatore të Spanjës, që konsiderohet si pro-izraelite, nëse “do të pushojë së qeni bashkëpunëtor me shtetin gjenocidal të Izraelit”.
Ajo theksoi se palestinezët po përballen me “spastrim etnik”. “Kjo që po shohim këto ditë është e tmerrshme”, tha Belarra, duke iu referuar sulmeve të pamëshirshme ajrore dhe tokësore të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor.
Të paktën 10.569 palestinezë, përfshirë 4.324 fëmijë dhe 2.823 gra, janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza. Ndërkohë, numri i izraelitëve të vdekur ka arritur në afër 1.600, sipas shifrave zyrtare. Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjes masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2.3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.