Kryeziu: Draft statuti i Asociacionit s’mund të krahasohet me diçka që nuk ekzistonte – deklaratat e pushtetarëve të papërgjegjshme

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, ka thënë se janë të papërgjegjshme deklaratat e pushtetarëve se draft statuti është më i mirë se marrëveshjet e mëparshme, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova s’ka pasur në tryeze draft të shkruar nga Qeveria e as të propozuar nga partnerët ndërkombëtarë.

Kryeziu ka shtuar se draft statuti i propozuar nga BE-SHBA dhe i pranuar nga Kurti, nuk është as i krahasueshëm me ndonjë draft paraprak dhe as nuk është marrëveshje, s’mund të quhet i keq ose i mirë.

Postimi i tij i plotë:

Fjalimet politike të pushtetarëve se ky draft-statut është shumë më i mirë se marrëveshjet e mëparshme, në versionin më të lehtë, janë deklarata të papërgjegjshme në mungesë të argumenteve.

Së paku me sa dimë publikisht, Kosova kurrë nuk ka pasur në tryezë një draft-statut, të shkruar nga qeveria e Kosovës dhe as të propozuar nga partnerët ndërkombëtarë, përveç disa draft dokumenteve që janë propozuar nga ndonjë OJQ vendore apo ndërkombëtare.

Draft-statuti i propozuar nga ndërkombëtarët BE-SHBA dhe i pranuar në parim nga kryeministri Kurti, nuk është as i krahasueshëm me ndonjë draft paraprak dhe as nuk është marrëveshje. Rrjedhimisht, nuk mund të quhet më i mirë apo më i keq. Sepse është i pakrahasueshëm me ndonjë dokument tjetër, me diçka që nuk ekzistonte.

Për atë nuk po flasim për ndonjë dokument të ri sepse nuk ka pasur të vjetër, përveç situatave, aktorëve dhe momenteve të reja. Ajo që me 2015 ju dërgua Gjykatës Kushtetuese për interpretim nuk ishte statut, por ishin parimet e përgjithshme/elementet kryesore për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.