Veton Surroi, opinionist i njohur, ka shkruar një shkrim në të cilin ka komentuar një fjalim të Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë.
Në fakt, ai e ka kritikuar gjerë e gjatë Ramën. Në shkrimin e tij me titull “Kryeministri dhe çunat e lagjes”, i botuar në Koha, Surroi bën një interpretim interesant në lidhje më pjesën e fjalimit, në të cilin ai thotë se Rama deklaroi që Kosova e fitoi luftën, por jo edhe paqen. Çka shkroi Surroi?
Sipas Surroit, ky është një gabim faktik. Në interpretimin e Surroit, Kosova nuk e ka fituar luftën, por e ka fituar NATO-ja për Kosovën.
“Kryeministri Rama e përsëriti një formulë e cila tingëllon logjike dhe është përsëritur prej të tjerëve qe gati një çerekshekulli, se Kosova e ka fituar luftën dhe se si nuk po kupton se tash duhet ta fitojë paqen.
Gabimi është faktik. Kosova nuk e ka fituar luftën, e ka fituar NATO-ja për Kosovën. Ushtria e RFJ-së (Serbisë dhe Malit të Zi, asokohe) nënshkroi kapitullimin me NATO-n, jo me autoritetet e Kosovës. UÇK-ja u detyrua të zhveshë uniformat dhe të dorëzojë armët, presidenti Rugova të hyjë nën administrim të UNMIK-ut.” – shkroi ai.
Tutje, ai ka theksuar se nëse Kosova do ta kishte fituar luftën, atëherë “nuk do të kishte nevojë për negociata të gjata”.
“Po ta kishte fituar Kosova luftën, nuk do të kishte pasur nevojë për negociata të gjata, do të përfundonin me vendosje marrëdhëniesh si mes Kroacisë e Serbisë.
Për Serbinë, lufta nuk ka përfunduar, ajo ka vazhduar me mjete të tjera. Sulmi paraushtarak në Banjskë ka qenë vetëm një akt i fundit i kësaj lufte.
Për gati çerekshekulli Kosova dhe Serbia e bashkësia ndërkombëtare me të janë në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe për të arritur paqe të qëndrueshme.
Paqja e qëndrueshme është kur Kosova dhe Serbia të arrijnë të respektojnë njëra-tjetrën si të barabarta. Të dyja palët ende nuk janë afër.” – shkroi Surroi.
Në shkrimin e tij, Surroi kritikoi edhe krahasimin në mes Kosovës dhe Palestinës, duke e cilësuar si një analogji që s’do të duhej të përdorej në këto momente.
“Kryeministri Rama në Kuvend citoi fjalët e porosinë, që tha se ia dha presidenti Clinton gjatë vizitës në Tiranë. Aty përmendi negociatat në Camp David dhe refuzimin e Arafatit që të nënshkruajë propozimin më të mirë të mundshëm që kanë pasur palestinezët. Nëse ka ndonjë analogji që nuk do të duhej përdorur aty dhe në atë moment, ishte kjo. Kosova nuk ka sot asnjë gjë të përbashkët me Palestinën (e as Serbia me Izraelin) e procesi negociator Camp David asnjë gjë të përbashkët me këtë të Brukselit.” – shtoi Surroi.
Përveç kësaj, Surroi konkludon se as procesi i Brukselit nuk është i ngjashëm me procesin negociator në Camp David, të cilin e kishte lehtësuar si ndërmjetës ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.
“Nëse ka ndonjë analogji që nuk do të duhej përdorur aty dhe në atë moment, ishte kjo. Kosova nuk ka sot asnjë gjë të përbashkët me Palestinën (e as Serbia me Izraelin) e procesi negociator Camp David asnjë gjë të përbashkët me këtë të Brukselit.” – shkroi tutje Surroi./Nacionale