Deputeti i pavarur, Haki Abazi, deklaroi që e ka parë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë.
Madje, Abazi pretendoi që ky draft tanimë është i finalizuar dhe i pranuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“E kam parë draft-statutin e propozuar. E kam parë dhe pika shtatë është krejt e re kundrejt marrëveshjes 2013-2015. Për brenda përkufizimit të vetë menaxhimit, Asociacioni merr kompetenca në sektorin e shëndetësisë, sektorin e arsimit dhe sektorin e sigurisë. Asociacioni prek edhe nivelin qendror. Në fakt nuk është më draft, nuk duhet as ta keq informojmë publikun. Ai është propozimi final i cili është dërguar në tavolinë nga liderët evropianë dhe është pranuar nga Kurti”, deklaroi Abazi në Tëvë 1
Po ashtu, Abazi pretendoi se nga teksti që ka parë, nuk ka pasur asnjë referencë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim.