Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, është përplasur me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin, gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, ku Rizvanolli po raporton lidhur me grevën e minatorëve.
Gjatë raportimit të Rizvanollit, në një moment, Lekaj tha se po të ishte në pozitën e ministres do të qante sot, derisa e akuzoi se po qeshet me kërkesat e minatorëve, raporton Express.
“Me kanë në pozitën tande, unë kisha kajt sot, jo me ardh me shit mend. Një ministre që qeshet me kërkesat e minatorëve, unë nuk e di atëherë pse ekziston si ministre”, tha Lekaj.
Rizvanolli tha se nuk qeshi me kërkesat e minatorëve, por me një deklarim të mëhershëm të Lekajt.
“Z.Lekaj, unë nuk qesha me kërkesat e minatorëve, por qesha me deklarimin tuaj se e dini, jeni të vetëdijshëm…”, tha Rizvanolli.
Më pas, Lekaj e akuzoi që po ia shtrembëron deklaratën.
“Nuk thash që jam i vetëdijshëm, mos e shtrembëro…mos e shtrembëro”.
Më pas, Rizvanolli i drejtohet Lekajt, duke i thënë “mos e ngrit zërin”.
Ndryshe, Rizvanolli tha se nuk ka mundur të raportojë në komision javën e kaluar, meqë ka qenë për vizitë në Gjermani dhe Francë, vizitë për të cilën ka thënë se ka qenë e planifikuar shumë më herët.