Drafti për Asociacionin po vazhdon të mbetet larg syrit të publikut, partive opozitare e shoqërisë civile, përkundër kësaj “mbyllje”, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj u tha sot mediave se e ka parë draftin dhe ka pasur rast ta lexojë në tërësi. Këtë deklaratë e tha pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajça. Por PDK e LDK nuk treguan detaje sikurse Haradinaj. I kontaktuar nga Gazeta Express, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri për këtë çështje tha se “duhet respektuar kodi i takimit”.
Sidoqoftë, në detaje nuk është lëshuar nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, i cili ka marrë pjesë në takimin e opozitës me emisarin sllovak. I pyetur nëse Lajçak ua ka prezantuar Draftin në takimin e përbashkët, meqë Haradinaj ka dhënë detaje për të, Haziri ka thënë se “bëhet fjalë për respektim të kodit të takimit”.
“Tjetër çështje është ajo..Duhet ta respektojmë kodin e takimit”, tha Haziri për Express.
Gjithsesi, Haradinaj ka thënë drafti i Asociacionit që ka parë çdo herë i referohet Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të vendit.
Haradinaj ka treguar se Drafti shpjegon mundësitë që Asociacioni ua jep komunave me shumicë serbe dhe thotë se sipas Draftit nuk ndryshojnë përgjegjësitë e Komunave.
Ai ka treguar se krijohen lehtësira në arsim e shëndetësi.
Ndër të tjera ai tha se në hyrje të dokumentit thuhet që drafti do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe për çdo ndryshim apo akt do të merret verifikimi i Kushtetueses.