Mediumi nga Shqipëri “Gazeta Si” e ka publikuar një faqe të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i cili i është i është prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti më 21 tetor në Prishtinë.
“Duke ju referuar Konventës kornizë për mbrojtën e minoriteve kombëtare nenin 10 i kartës evropiane të vetëqeverisjes lokale, ligji i ratifikimit të marrëveshjes së parë ose parimeve që drejtojnë normalizimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Ligjit për Bashkëpunim Ndërkumunal dhe Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe agjencive të pavarura, rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB –1244 dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në respekt të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës miraton statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në preambulë.
Ndërsa në nenin 2 të këtij dokumenti theksohet se “komuniteti serb i Kosovës është një bashkësi etnike me veçori të veçanta gjuhësore, kulturore dhe fetare që ka bashkëjetuar në Kosovë me shekuj krahas komuniteteve të tjera në përputhje me nenin 57 të Kushtetues dhe si e tillë komuniteti serb i Kosovës gëzon të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në kapitullin 2 të Kushtetutës”.
“Objektivi parësor i statutit është që të krijojë në Kosovë mundësinë që për komunitetin serb që në Kosovë të ketë përparësi të drejtave specifike dhe kompetencave komunale të përfshira tashmë në Kushtetutë dhe ligjet e tjera që janë të zbatueshme në vend”, thuhet tutje në dokument.
Më 3 nëntor, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi para deputetëve të Kuvendit se nuk mund të ofrojë detaje të draft statutit.
Ai theksoi se draft statuti iu prezantua nga përfaqësuesit e “Pesëshes së Madhe” më 21 tetor në Prishtinë, të cilët, sipas tij, “më kërkuan garancione që drafti të mos e bëj publik, për shkak që publikimi i tij do të keqpërdorej në dëm të kontributit të qeverive sponsorizuese”.
Por, pasi Kurti refuzoi të shpalosë para deputetëve të kuvendit draftin e statutit të Asociacionit, atë do ta bëjë emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Albanian Post përmes burimeve ndërkombëtare, kupton se Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj do të njoftohen për draftin e statutit në takim me Lajçakun, i cili qëndron këtë të hënë dhe të martën gjatë ditës në Kosovë.