Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti është deklaruar për vendimin e qeverisë për qeset plastike.
Hoti ka thënë se nuk është esenciale në aspektin ekonomik dhe jetën e rënduar të qytetarëve promovimi i qeseve plastike.
Sipas tij, pas tri vite qeverisja Lëvizja Vetëvendosje duhej të promovonte projektet e kryera në arsim e shëndetësi.
Postimi i plotë i Hotit:
Është fundi i vitit 2023, që është viti i tretë i qeverisjes majtiste LVV-Guxo. Është koha kur do të duhej të promovoheshin projektet e kryera gjatë tri viteve në rrugë, në arsim e shëndetësi, në energjetikë e në ujitje të tokave bujqësore.
E kur mungojnë këto projekte, atëherë vetë Kryeministri promovon shpërndarjen e qeseve plastike nëpër dyqane, sado e rëndësishme që është kjo për ambientin, por nuk është esencial në aspektin ekonomik dhe jetën e rënduar të qytetarëve.
Tri vjet qeverisje pa asnjë orientim zhvillimor, me normë të zhvillimit ekonomik që gati ka rënë në zero.
Tri vjet të qeverisjes vetëm duke shpërndarë subvencione e transfere, të cilat kanë shkuar nga 32% në mbi 42% të buxhetit total.
Tri vjet qeverisje me rënie të investimeve kapitale nga rreth 23% të buxhetit total sa ishin në qeveritë paraprake, në vetëm 15% të buxhetit total.
Kjo lloj qeverisjeje vetëm zhvillim nuk sjell.