Vuçiq e luan të fortin: Liderëve evropianë iu thash në fytyrë që Serbia nuk do ta njeh Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se gjatë takimit në Bruksel me liderët evropianë iu ka thënë atyre se “njohja e Kosovës nuk bëhet fjalë”.

Vuçiq në tetor në Bruksel u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, shefin e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell e emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Kështu, Vuçiq ka thënë të dielën për Tv Tanjug se “nuk do ta nënshkruajë pavarësinë e Kosovës”, deklaratë që vjen para zgjedhjeve parlamentare në Serbi – ku Vuçiq e luan “të fortin”.

“Se nuk do të nënshkruaj dhe nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës. Dhe ata e dinë këtë”, ka deklaruar Vuçiq.

“Ata thonë – ju e keni këtë mundësi, a doni ta nënshkruani? Nuk është e lehtë të thuhet se, këta janë njerëz seriozë, më përgjegjës për fatet e Evropës”, ka shtuar Vuçiq teksa fliste për peshën e liderëve evropianë.

Më tutje, ai ka thënë se është i vetëdijshëm që Serbia mund të përballet me pasoja për këtë refuzim./Gazeta Express