“Me vite lejon diskreditimin e BE-së dhe i merr paratë”, Von Cramon e ashpër me Vuçiqin

Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon duke folur për situatën politike në Ballkanin Perëndimor, kritikoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zonja Von Cramon ka vlerësuar se presidenti serb i kontrollon mediet, duke lejuar fushatë diskridituese ndaj BE-së e Perëndimit. Për më shumë, ajo ka vënë theksin se përkundër kësaj, Vuçiqi ka pranuar financimin e BE-së.

“Njerëzit duhet të kuptojnë se Vuçiqi është ai që kontrollon shtypin dhe se me vite ai ka lejuar që Bashkimi Evropian, për ne në Perëndim, të diskreditohet vazhdimisht. Dhe ai i mori paratë.” – tha ajo.

Tutje, Von Cramon ka folur edhe për investimet e Gjermanisë në Serbi.

“Kjo krijoi prosperitet ekonomik, por gjithashtu i mundësoi Vuçiqit të çimentonte fuqinë e tij politike. Ne do të duhej të përfitonim nga kjo. Do të duhej të futeshim shumë më tepër politikisht dhe të themi: Ne presim këtë dhe atë nga ju. Dhe kjo duhet thënë para kamerave.” – deklaroi ajo për Deutsche Welle.