Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Enver Dugolli ka rrëfyer përvojën e tij me Albin Kurtin kur u takuan në burgun e Nishit.
Dugolli në emisionin “Personale” të RTV Dukagjini, ka thënë se ka pasur paragjykime për Kurtin për shkak të flokëve të gjata dhe pamjes së tij.
“Sa isha në Burgun e Nishit, pas dy-tre muajsh e sollën Albinin nga burgu i Pozharecit dhe aty e takoj për herë të parë Albinin. Unë e kisha pyetur vëllaun, Bujarin për Albinin sepse në protestat e studentëve e shihsha një djalë me flokë të gjata dhe nuk e dija kush është, por nga fjalët që mora prej Bujarit, të vëllaut, ai folte në superlativ pra është një djalë shumë i përgatitur, i motivuar dhe i gatshëm që të sakrifikohet për lirinë e Kosovës, por unë kisha paragjykime”, ka thënë Dugolli.
Megjithatë, ai ka thënë se pasi e takoi atë dhe kaloi kohë me të në burg, ai ndryshoi mendim dhe tha se Kurti ishte një person i përgatitur dhe i gatshëm të sakrifikohet për lirinë e Kosovës.
“Pasi që jam rritur në kohën e viteve të 80-ta, ku atëherë njerëzit shiheshin edhe se si visheshin. Unë kisha paragjykime për shkak të flokëve të gjata dhe është njeri i parë që ma ka hjekë paragjykimin nga ai moment kur e kam takuar fizikisht Albin Kurtin në burgun e Nishit dhe bisedat që kemi bërë me të e kohën që kemi kaluar me të, unë definitivisht nga ai moment nuk paragjykoj njerëzit as në pamje e as në veshje”, vijon ai.
Në fund ai tha se kjo përvojë me të e ndihmoi të heqë paragjykimet në lidhje me pamjen e njerëzve.
“E pranoj që ka qenë dobësi e imja, por unë e kam paragjykuar me flokë të gjata dhe kam thënë që ky nuk mundet me qenë njeri aq i përkushtuar për lirinë e Kosovës dhe aq njeri i kompletuar”, tha ai.