Çun Lajçi ka reaguar pas protestës së Njësisë elitare të Policisë së Kosovës (FIT).
Ai i ka bërë thirrje, kryeminsitrit të Kosovës Albin Kurtit, duke i thënë që ta hap kuletën nëse do që t ketë shtet e pushtet, se ndryshe do të mbetet vetëm.
Lajçi, ka kritikuar edhe opozitën, duke u bërë thirrje policëve që ta harrojnë atë sepse ata nuk e kanë problem me ia futë fitilin Kosovës.
Postimi në Facebook:
Z.Kryeministër
Para dy muajësh t’pata shkrua; – s’ka nevojë m’u ndalë rrugëve e me i falenderua policët për punën që e bajnë, por kan nevojë m’ua kompenzua rrezikshmerinë dhe m’ua rritë rrogat!
– Hape kuletën zotni, se ashtu-kështu po don me mbetë veç Kryeministër i vetvetës!
S’ka shtet pa polici e ushtri o Albin po hape kuletën n’daç me pasë shtet e pushtet e harroje çka thotë Sveçla e Hekurani!
– Ama edhe ju sokolanat e policisë, harrojeni opozitën se ata s’kan gajle me ia futë fitilin Kosovës, veç qyshë e qyshë me ardhë n’pushtet!
Ma heret shkrova pak por s’deshtet me kuptua çka deshta me iu thanë e menjiherë u xeherliset! Por kuptojeni; – se mjeran s’asht ai që e sheh t’zezën me sytë e vet por asht ai që t’bardhën e sheh me sytë e tjetrit!
– Paguej Albin Kurti paguej, se po ta ka anda me i lavdërua kur po vdesin n’vinë e frontit! Edhe bindu se sherrin kan me ta pa pikërisht policët, sepse ata do t’jenë t’parët që do t’ballafaqohen me Zajednicën tande!
Kujtojmë, se si Kurti ashtu edhe Sveçla dje deklaruan se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të NJSI sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat).
Kurti shkoi edhe më tej duke thënë se 203 policë të Kosovës sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës.