Të hënën në mëngjes, hetuesit nga Policia Kantonale e Cyrihut i kanë rënë ziles së një apartamenti në Winterthur për të zhvilluar hetimet, transmeton albinfo.ch. Sipas njoftimit të policisë, të pranishmit në apartament e kanë hapur derën me vonesë.
Për shkak të situatës së krijuar, efektivët e policisë kanë supozuar se në banesë kishte edhe persona të tjerë. Kështu, në konsultim me prokurorinë publike, policia ka kryer bastisje të shtëpisë, shkruan gazeta Landbote. Sipas deklaratës së saj, dy kosovarë, njëri një 30 dhe tjetri 40-vjeçar, ishin fshehur në një dollap në banesë.
Policët gjatë kontrollimit të asaj shtëpie gjithashtu kanë gjetur dhe siguruar mjete të vjedhjes.
Dy personat, të cilët po qëndrojnë ilegalisht në Zvicër dhe dyshohet se kanë kryer vjedhje të ndryshme, janë arrestuar, përcjell albinfo.ch. E njëjta gjë vlen edhe për qiramarrësen 25-vjeçare dhe një grua tjetër, 43-vjeçare, që ishin gjithashtu të pranishme gjatë kontrollimit të bërë në banesë.