Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mërgim Lushtaku, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës.
Në njoftim thuhet se Besnk Bislimi, Mërgim Llushtaku dhe Hajdar Beqa po akuzohen për veprën penale “Sulmi”, kurse Beqa akuzohet po ashtu edhe për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”. Ndërsa, për “Lëndim të lehtë trupor” akuzohet Bekim Haxhiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit B.B., M.L., H.B., ngarkohen për veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri H.B., gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së. Po ashtu, në këtë çështje penale për të pandehurin B.H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK-së” thuhet në njoftim.
Në fund, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjeve në fuqi.