Tubimi ‘Takimi i Madh i Palestinës’/ Erdogan: Izrael, ne do t’ju shpallim kriminel lufte para botës! Perëndimi ju ka borxh, por Turqia jo

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka mbajtur një fjalim para qindra mijëra personave që iu bashkuan tubimit “Takimi i Madh i Palestinës” të organizuar sot. Erdogan fajësoi për vrasjet në Gaza edhe vendet perëndimore, të cilat sipas tij legjitimojnë masakrat e vazhdueshme me popullin palestinez.

“Izrael, ne do t’iu shpallim kriminel lufte para botës. Perëndimi ju ka borxh, por Turqia nuk ju ka borxh. Ata që derdhin lot krokodili për civilët e vrarë në luftën Ukrainë-Rusi, po shikojnë në heshtje vdekjen e mijëra fëmijëve të pafajshëm në Gaza. Sigurisht, çdo vend ka të drejtë të mbrohet, por ku është drejtësia? Nuk ka mbrojtje, por një masakër e hapur dhe e egër që po ndodh në Gaza”, tha Erdogan, raportojnë mediat e huaja.

Më herët gjatë javës, Erdogan tha se grupi militant i Hamasit nuk është organizatë terroriste, por një grup çlirimtar që lufton për tokat dhe popullin e tij. Pas deklaratave të Erdoganit, Izraeli njoftoi se do të tërheq stafin diplomatik nga Turqia.

“Duke pasur parasysh deklaratat që vijnë nga Turqia, kam urdhëruar kthimin e përfaqësuesve diplomatikë në mënyrë që të bëjmë një rivlerësim të raporteve midis Izraelit dhe Turqisë”, tha ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen.

Hamasi kreu sulme të koordinuara ndaj jugut të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë mbi 1.400 persona dhe duke marrë pengje mbi 200 persona. Ndërkaq, si pasojë e sulmeve hakmarrëse, në Rripin e Gazës që nga nisja e luftës janë vrarë mbi 7.700 persona. Ndërkaq, në Bregun e pushtuar Perëndimor, mbi 110 palestinezë janë vrarë gjatë dhunës dhe gjatë bastisjeve izraelite.

360grade.al