Avokati Tom Gashi dhe eksperti i marrdhënieve ndërkombëtare Medlir Mema, ishin të ftuar këtë të shtunë në emisionin “Review” në Euronews Albania, ku komentuan takimin e të enjtes në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë Serbi.
Gashi tha se Vuçiç u gjet i papërgatitur pasi mendoi se do të ishte Albin Kurti që do ta refuzonte propozimin e BE-së.
Në fakt sipas Gashit ndodhi e kundërta, Kurti pranoi propozimin ndërkombëtar, ndërkohë që Vuçiçu paraqit ashtu siç është në të vërtetë, si bllokues i marrëveshjes së paqes pasi refuzoi.
“Ishte faktikisht një ofertë e BE për të normalizuar marrëdhëniet me Serbisë dhe Kosovës si dy shtete të pavaruara. Ishte një ofertë gjeneroze për të dy shtetet dhe atë që nuk ka mundur ta presë Vuçiç, si president i Serbisë është që Albin Kurti ishte i gatshëm ta nënshkruante. Vuçiç u zuiI papërgatitur pasi ka menduar se Albin Kurti nuk do ta bëjë këtë nënshkrim. Mirëpo situata është më ndryshe dhe bashkësia ndërkombëtare po e sheh cili është shteti që po krijon probleme duke kërcënuar me incidente që mund të na shtyjnë në incidente më të mëdha, siç i pamë më 24 shtator”, tha Gashi.
Nga ana tjetër eksperti Mema u shpreh se pavarësisht zhvillimeve të fundit, marrëveshja për normalizimin e amrrëdhënieve është ende larg.
“Mendoj se situata politike dhe diplomatike për Kosovën është e përmirësuar. Por nga ana tjetër shoh më shumë gadishmëri nga ana e zotit Vuçiç, të pranojë atë që zoti Kurti ka pranuar.
Mungesa e transparencës në lidhje me planin dhe sidomos me Asocacionin lë shumë për të dëshiruar. Unë jam më pak optimist. Mendoj që është bërë një hap përpara për pozitën politike dhe diplomatike të Kosovës. Ky përmirësim është diçka në aspektin e interesave të Kosovës dhe të shqiptarëve por në aspektin e zgjidhjes së këtij ngërçi nuk kemi sukses shumë të madh”, tha ai.