Në bisedën mes të ftuarve të “Shije Shtëpie” në Tv Klan për raportet prind-fëmijë dhe rastet kur të parët ndërhyjnë në jetën e këtyre të fundit, Ketrin Gjocaj preku edhe problemet nuse-vjehrrë. Gjocaj tha se shpesh vjehrrat janë xheloze për nuset apo vënë re detaje të vogla te to që duket sikur iu cenojnë djalin.
Balerina Elona Nallbani e cila është nënë e dy djemve, u shpreh se kjo i përket një mentaliteti të vjetër, por pati një ndërhyrje nga Ardi Borova. Me batutë dhe humor, ai ndau disa detaje nga marrëdhënia e tij me të ëmën.
Ardi Borova: Ti i thua çunit me lezet “hajde te mami të hash!”
Elona Nallbani: Ai mund të vijë…
Ardi Borova: Lëre mi lëre! Ja ta them unë, mos u mërzit. Unë drekë për drekë shkoj te mami im dhe me lezet, mami kur ngel ndonjë gjë thotë “merre shpirti i mamit dhe çoje në shtëpi” dhe ndonjëherë nusja mërzitet se i çoj unë në shtëpi. I them “zemra, më mirë t’i çosh apo ta marrësh?, “Jo”, tha, “më mirë t’i sjellë”. Epo rri urtë se ke edhe që t’i çosh pastaj.
Më tej, parukieri sjell një mesazh të bukur me gjestin e tij ndaj nënës së moshuar dhe shton se kjo nuk ka ndikuar në marrëdhënien me bashkëshorten.
Ardi Borova: Mami im është 88 vjeç. Unë do shkoj derisa ajo të ketë frymë dhe ajo rri aktive se i shkoj unë dhe prandaj i bën gjërat gati. Mënyra dhe gjëja që unë shkoj nuk shkoj se dua të ma mbushë mami pjatën se unë nuk dua të ha aq shumë, por çështja është që ajo është aktive dhe do të gatuajë përditë, të bëjë pazar përditë dhe unë prandaj shkoj e bëj.
Katerina Trungu: Në këtë lidhje të fortë që ti e ke dhe vazhdon ta kesh të përditshme, ka qenë ndonjëherë e bezdisur?
Ardi Borova: Mami?
Katerina Trungu: Bashkëshortja.
Ardi Borova: Shyqyr Zotit jo. Ka pasur çfarë ka pasur ato gjërat e veta, por në këtë pjesën e lidhjes jo.
Katerina Trungu: Apo ke qenë edhe ti i prerë që në këtë marrëdhënie nënë-bir nuk ndërhyn asnjë?
Ardi Borova: Tani gratë o janë të mençura o janë budallaçka. Tani kur je e mençur, vazhdon punën./tvklan.al