Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë paraqitjes para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se Serbia dëshiron territor të Kosovës “por, nuk do ta marrë kurrë”.
“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës.Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”.
“Çfarë dëgjuam nga Serbia sot ishte minimizimi i aktit të agresionit ndaj Kosovës”, tha Osmani.
Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Presidentja e Kosovës iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre.
“Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani.
Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe mbetet e angazhuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.
“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mënyrë për të zgjedhur dallimet mes nesh”, tha Osmani.
“Pas 24 shtatorit, gjithçka ka ndryshuar dhe shumë gjëra mbeten konstante në të njëjtën kohë. Nga njëra anë, përkushtimi i Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit tonë, promovimin e një sundimi të ligjit dhe demokracisë në avancim, si dhe nxitjen e marrëdhënieve pozitive fqinjësore, mbetet i palëkundur. Nga ana tjetër, vendosmëria e Serbisë për të destabilizuar rajonin për të pushtuar tokën dhe për të përsëritur librat e lojërave të Millosheviçit dhe Putinit është në kulmin e saj. Ajo që Serbia priste të ndodhte atë ditë ishte të kishte sukses në planin e saj të stilit të Krimesë për aneksimin e veriut të Kosovës. Ajo që u zu në befasi Serbia është vendosmëria dhe reagimi i palëkundur profesional i forcave të Policisë së Kosovës… Megjithatë, ajo që kemi dëgjuar sot nga Serbia është një zgjatje e përsëritjes së tyre përpjekjet për të ulur shkallën e këtij kërcënimi të paprecedentë të sigurisë dhe aktit të agresionit kundër Kosovës. Ata duan gjithashtu të shtrembërojnë të gjithë të vërtetën që u shpalos para syve të botës. Ata u përpoqën të ndërronin vendin e agresorit me atë të viktimës së agresionit. Por faktet janë të pakundërshtueshme dhe provat tregojnë të kundërtën. Këto grupe terroriste janë financuar, trajnuar, armatosur dhe strehuar nga një burim, Republika e Serbisë“, ka thënë ajo.
Osmani tha se financimi i dy organizatave terroriste ka ardhur nga Serbia, duke i dhënë edhe paga mujore. Sipas saj, para sulmit ata ishin angazhuar për frikësimin e serbëve dhe sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it.
Sipas saj, qëllimi i Serbisë më 24 shtator ishte deeskalimi i tërë Ballkanit Perëndimor.
Bërnabiq: Serbia nuk ka qenë e përshirë në sulmin në Banjskë
Ndërkaq, lryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Bërnabiq tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.
“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.
SHBA kërkon ekstradimin e sulmuesve në Banjskë
Ndërkaq, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, Robert Wood, tha se “duhet të ketë përgjegjësi të plotë” në bazë të ligjit për personat e përfshirë në sulm.
“Personat që janë larguar për në një shtet të tretë duhet të ekstradohen dhe ndiqen penalisht”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.
SHBA-ja tha se po punon nga afër me Bashkimin Evropian dhe partnerët e NATO-s për të ndihmuar që veriu i Kosovës – i banuar me shumicë serbe – të jetë i qetë. Uashingtoni u bëri thirrje palëve që të kthehen në dialog, të përgatitur “që të ndërmarrin hapa konkretë përpara”.
Është e rëndësishme që palët të bëjnë përparim në të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, tha ambasadori Wood.Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, akuzoi Kosovën për “shtypje” të serbëve, që tha se mund të rikthejnë edhe një konflikt të armatosur, teksa foli për sulmin e armatosur në Banjskë.
“Kemi shumë pyetje për ngjarjet në Banjskë. E para, pse përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk u përfshin. Në ngjarjet të ngjashme në të kaluarën, EULEX-i ka patrulluar zonën dhe KFOR-i ka shkuar menjëherë për të ndarë palët luftuese. Tani e gjithë situata iu la në dorë shqiptarëve të Kosovës, që çoi në këtë përfundim tragjik. Perëndimi nuk priti për hetimet, por menjëherë e quajti sulm të tmerrshëm”, tha ai.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Kinës në OKB tha se Pekini mbështet një zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Por, Kina akuzoi Prishtinën për rritjen e tensioneve në veri.